4 Shtator 2014

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare publikon Gjeografinë e Sigurimeve 2013

Gjeografia e Sigurimeve 2013 jep në mënyrë të detajuar shpërndarjen e primeve të shkruara bruto, dëmeve të paguara si dhe primit për frymë, sipas prefekturave.

Duke i hedhur një vështrim primit të shkruar bruto sipas shpërndarjes gjeografike, bie në sy përqendrim i tregut të sigurimeve në prefekturat e mëdha, si Tirana me 67.23% të totalit të primeve të shkruara bruto gjatë vitit 2013, Durrësi me 7.35%, Fieri 4.30%, Shkodra 3.96%. Kjo tendencë përqendrimi ka vazhduar të jetë e njëjtë gjatë gjithë viteve të publikimit të raportit Gjeografia e Sigurimeve.

Një tregues tjetër i rëndësishëm është dendësia e sigurimeve, e cila shpreh raportin e volumit total të primeve të shkruara bruto ndaj numrit të popullsisë. Për vitin 2013 ky tregues arriti në rreth 2,928.81 lekë për frymë, me një ulje prej 271.60 lekë krahasuar me një vit më parë.

Përsa i përket primit për frymë sipas prefekturave, prefektura Tiranë me 7,232.83 lekë për frymë zë vendin e parë, e pasuar nga prefektura Gjirokastër me 2,704.91 lekë për frymë dhe më tej Durrësi dhe Vlora përkatësisht me 2,264.66 lekë për frymë dhe 1,524.80 lekë për frymë.

Ky publikim përfshin gjithashtu edhe informacion të hollësishëm për dëmet e paguara gjatë vitit 2013 sipas prefekturave, duke krijuar edhe mundësinë e krahasimit të këtyre treguesve me ato të një viti më parë. Përsëri, pjesën më të madhe të dëmeve të paguara e ka prefektura e Tiranës me 60.57%, e pasuar nga prefektura Vlorë me 6.86%.

Ky është viti i shtatë radhazi që AMF prezanton për lexuesit këtë botim. Ai është publikuar për herë të parë me të dhënat e vitit 2007 dhe ka vazhduar të përpunohet dhe pasurohet çdo vit.
 
Për të lexuar tekstin e plotë të publikimit të Gjeografisë së Sigurimeve 2013 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.