16 Maj 2016

Zhvillohet Mbledhja Vjetore e IOSCO-s mbi sfidat globale të rregullimit të tregjeve të letrave me vlerë

Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë (International Organization of Securities Commissions, IOSCO) zhvilloi më 8-12 maj 2016 në Lima, Peru, Mbledhjen Vjetore mbi sfidat globale të rregullimit të tregjeve të letrave me vlerë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë, është anëtar me të drejta të plota në këtë organizatë. Ai u përfaqësua në këtë mbledhje nga një delegacion me drejtues të nivelit të lartë.

Mbledhja u fokusua në diskutimet rreth sfidave me të cilat përballen rregullatorët e tregjeve financiare dhe në përgjigjet e mundshme ndaj këtyre sfidave. Bordi i IOSCO-s, Komiteti i Tregjeve në Rritje dhe Zhvillim (Growth and Emerging Market, GEM), Komitetet Rajonale dhe Komiteti i Anëtarëve me të Drejta jo të Plota (Affiliate Members Consultative Committee, AMCC) diskutuan mbi iniciativat e marra në drejtim të forcimit të tregut të letrave me vlerë dhe rolit të këtij tregu si një burim i qëndrueshëm financimi.

Komiteti i drejtuesve të IOSCO-s aprovoi tekstin e memorandumit të mirëkuptimit shumëpalësh  midis vendeve pjesëmarrëse, për bashkëpunim dhe shkëmbim informacioni, si një mjet i domosdoshëm për rregullatorët anëtarë të IOSCO-s, që pengon shkeljet ndërkufitare dhe mashtrimet në tregun e letrave me vlerë. Gjatë mbledhjes u diskutua edhe mbi përmirësimin e cilësisë së auditimit, si dhe mbi administrimin e aseteve duke u fokusuar në menaxhimin e rrezikut të likuiditetit.

Lidhur me identifikimin dhe adresimin e rreziqeve të reja u diskutua  në mënyrë të veçantë mbi likuiditetin në tregjet e letrave me vlerë të korporatave dhe sigurimin e transparencës në këto tregje. Gjithashtu u diskutua mbi mekanizmat e ndryshëm, që do t’u shërbejnë rregullatorëve  të  tregjeve të letrave me vlerë në mbledhjen dhe shkëmbimin e informacionit mbi rreziqet kibernetike.
Pjesë e mbledhjes ishte edhe konferenca vjetore, e cila si fokus kryesor pati financimin e SME-ve, edukimin dhe mbrojtjen e investitorit, si dhe shanset dhe sfidat e teknologjive të reja financiare.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]