7 Prill 2017

AMF certifikon aktuarët e rinj

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare certifikoi me datë 6 prill 2017, nëntë aktuarë të rinj të cilët përfunduan programin afatgjatë të kualifikimit profesional për aktuar. Programi mësimor i këtij trajnimi ishte në përputhje me programin e Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarëve (IAA) dhe u bazua në praktikat më të mira të Institutit dhe Fakultetit të Aktuarëve në Londër. Programi përmbante 14 module, ku secili prej tyre shtjellonte tema të caktuara të lidhura me tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së. Modulet e trajnimit përfshinin ndër të tjera tema si: modelet aktuariale; përllogaritjet e aseteve; të dhënat për sistemet financiare; parimet dhe praktikat e sigurimit të Jetës dhe Jo-Jetës; menaxhimi i riskut; menaxhimi aktuarial i sigurimeve dhe i pensioneve, etj. Në përfundim të programit, secili nga pjesëmarrësit prezantoi një punim tematik diplome, duke aplikuar teknikat dhe metodologjitë aktuariale, të mësuara gjatë trajnimit dhe lidhjes së tyre me situata praktike të tregjeve të sigurimit.

Në ceremoninë e certifikimit të aktuarëve të rinj, morën pjesë profesionistë të tregjeve nën mbikëqyrje, disa nga lektorët  e moduleve të trajnimit, përfaqësues nga Shoqata Ndërkombëtare e Aktuarëve, Instituti dhe Fakulteti Britanik i Aktuarëve, drejtues të shoqërive të sigurimit, fondeve të pensioneve dhe fondeve të investimeve që veprojnë në Shqipëri, përfaqësues nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave, Banka Qendrore e Kosovës dhe Banka Botërore.

Gjatë ceremonisë së certifikimit, Zj. Mimoza Kaçi, Nëndrejtor Ekzekutiv i AMF-së, përgëzoi aktuarët e certifikuar dhe evidentoi rëndësinë e këtij profesioni duke theksuar se: “Industria financiare ka sfidat e veta të rritjes dhe zhvillimit. Këto sfida nuk do të mund të përballohen pa zbatimin e metodave dhe teknikave aktuariale. Sot, kemi një grup aktuarësh të cilët janë kualifikuar profesionalisht për të plotësuar nevojat e tregut financiar.”

Ky program afatgjatë është i treti ndër vite që AMF organizon në bashkëpunim me Institutin dhe Fakultetin e Aktuarëve në Londër, si dhe Shoqatën e Aktuarëve të Shqipërisë. Deri tani AMF ka licencuar 12 aktuarë dhe certifikimi i këtij grupi të ri të aktuarëve i hap rrugën licencimit të profesionistëve të tjerë.

Për më shumë informacion kontaktoni [email protected]