24 Maj 2017

Mbi publikimin e vlerësimit vjetor për Shqipërinë nga Bashkimi Evropian

Përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane u takuan më datë 23 maj 2017 me  homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia në kuadër të dialogut të përvitshëm për politikat ekonomike. Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia kanë paraqitur programet e reformës ekonomike të cilat përfshijnë periudhën 2017-2019. Këto programe  prezantojnë kuadrin afatmesëm fiskal dhe makroekonomik si dhe një gamë të gjerë reformash strukturore për nxitjen e konkurrueshmërisë dhe një rritje ekonomike afatgjatë.

Duke vlerësuar ecurinë e Shqipërisë, raporti përshkruan se vendi “po përjeton një përmirësim gradual ekonomik që pritet të vazhdojë në periudhën 2017-2019”. Vlerësimi thekson se Shqipëria i ka zbatuar pjesërisht udhëzimet e përcaktuara në konkluzionet e Dialogut Ekonomik dhe Financiar të majit 2016.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhanë gjashtë rekomandime për Shqipërinë në kuadër të  Udhërrëfyesit Politik. Rekomandimi i tretë thekson ndër të tjera nevojën e rritjes së tregjeve financiare. Duke analizuar tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së, Shqipërisë i rekomandohet “të forcojë mbikëqyrjen e sektorit financiar jobankar, duke rritur kapacitetin e Autoritetit Mbikëqyrës Financiar.”

Për të lexuar tekstin e plotë të vlerësimeve dhe rekomandimeve për Shqipërinë, ju lutem klikoni këtu