23 Qershor 2017

AMF heq licencën e shoqërisë “Stock International” Albania sh.a.

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në mbledhjen e datës 19 qershor 2017, vendosi heqjen e dy licencave për shoqërinë “Stock International Albania” sh.a. për të vepruar si:

i)   Agjent i brokerit të licencuar të letrave me vlerë dhe; 
ii)  Shoqëri brokerimi për ushtrim veprimtarie tregtimi në tituj.
 
Ky vendim i Bordit të AMF-së erdhi pas ushtrimit të inspektimeve në vend pranë kësaj shoqërie dhe mospërmbushjes së detyrimeve të lëna nga vendimi i mëparshëm i Bordit. Nga inspektimet e kryera në vend, që prej mesit të muajit mars 2017, AMF gjeti se shoqëria “Stock International Albania” sh.a., në funksionin e saj si agjent i brokerit të licencuar ka mbyllur zyrën ku zhvillonte aktivitetin, ka larguar stafin, si pasojë e vështirësive financiare të saj, nuk dispononte mjete teknike për të siguruar lidhjet mes klientëve dhe se shoqëria nuk ka raportuar pranë AMF-së pasqyrat financiare të vitit 2016 dhe ato lidhur me aktivitetin e kryer për periudhën 1 janar-31 mars 2017. Në mbledhjen e muajit maj 2017, Bordi i AMF-së vendosi marrjen e masave ndaj kësaj shoqërie dhe kërkoi sjelljen në AMF të:

i)  Informacionit në lidhje me njoftimin e të gjithë klientëve të tij mbi ndërprerjen e aktivitetit;
ii)  Vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të Shoqërisë dhe Vendimit të Këshillit Mbikëqyrës për situatën e shoqërisë.

AMF kërkoi respektimin e të gjithë afateve dhe procedurave ligjore, me qëllim dhënien kohë shoqërisë për të njoftuar të gjithë investitorët dhe klientët e saj për mbylljen e aktivitetit. Shoqëria “Stock International Albania” sh.a. nuk i përmbushi detyrimet e saj të lëna nga vendimi i Bordit të AMF-së në muajin maj 2017. Për rrjedhojë, Bordi i AMF-së, në mbledhjen e datës 19 qershor 2017 vendosi heqjen e licencave për shoqërinë “Stock International Albania” sh.a.

Duke qenë se shoqëria “Stock International Albania” sh.a. në funksionin e saj si agjent i brokerit të licencuar të letrave me vlerë, nuk i kontaktoi investitorët e saj, njoftojmë investitorët se pozicionet dhe llogaritë e tyre janë drejtpërdrejtë te kompania "LeadCapital Markets" Ltd. e cila është përgjegjëse për çdo sqarim të investitorëve.  http://www.leadcapitalmarkets.com/contact.php

AMF thekson edhe një herë se investimi në platformat online është një aktivitet i cili kërkon një shkallë të lartë të informacionit ekonomik dhe kulturës financiare. Investimi në platforma të tilla mbart me vete, krahas avantazheve të fitimit, edhe rrezikun e humbjes nga këto investime, prandaj investitorët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për to dhe të marrin përgjegjësinë e investimeve. Në faqen zyrtare online, AMF ka të listuar gjithë subjektet e licencuara për të kryer veprimtari në tregtimin e titujve, letrave me vlerë. AMF i fton investitorët potencialë dhe qytetarët të konsultojnë këtë faqe online për të marrë gjithë informacionin e nevojshëm dhe për t’u siguruar për investimin e tyre. AMF po realizon një projekt të mbështetur me Sekretariatin e Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), i cili do të mbështesë AMF-në në rritjen e kapaciteteve të tij për mbikëqyrjen e tregut të fondeve të investimeve dhe tregut të obligacioneve.