5 Korrik 2017

AMF, workshop me ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të tregut të fondeve të investimit

Në kuadër të fazës së dytë të projektit “Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve”, në datën 5 korrik 2017 u zhvillua një workshop me përfaqësues të tregut të fondeve të investimit, eskpertë të fushës së tregut të kapitaleve, kompani emetuese të letrave me vlerë me ofertë private dhe palë të tjera të interesit.

Faza e dytë e projektit konsiston në përmirësimin e kuadrit mbikëqyrës dhe  rishikimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ të letrave me vlerë dhe fondeve të investimit në përputhje me parimet e BE-së dhe standartet ndërkombëtare.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Koçi theksoi rëndësinë e zhvillimit të tregut të kapitaleve për investitorët, bizneset dhe rritjen ekonomike të vendit si dhe domosdoshmërinë për zhvillimin e tregut sekondar, në funksion të rritjes së likuiditetit apo vlerësimit të drejtë të portofolit të aseteve. Në fjalën e tij, Z. Koçi përmendi edhe sfidat e Autoritetit përballë dinamikës së zgjerimit të tregut të fondeve të investimit dhe tregut të letrave me vlerë si dhe faktin që ndryshimet ligjore në kuadër të këtij projekti do të jenë në linjë me direktivat e BE-së, sidomos me direktivën MiFID II apo direktiva të tjera.

“Ky workshop vjen pikërisht në momentin kur Bordi i AMF-së sapo mori një vendim të rëndësishëm në mbledhjen e fundit të tij në lidhje me fillimin e punës së një ndër elementëve thelbësorë të tregut të titujve siç është Bursa,” theksoi Z. Koçi në fjalën e tij. Në përfundim, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se AMF beson se në bashkëpunim me ekspertet e Projektit do të jetë i gatshëm për të rregulluar dhe mbikëqyrur tregun e kapitaleve, për të rritur sigurinë e sektorit financiar jo-bankar dhe për të kontribuar në stabilitetin financiar të vendit.

Më pas, Znj. Michelle Parnel, eksperte ligjore dhe Znj. Sally Buxton, konsulente e projektit prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e tyre gjatë kësaj faze të dytë të projektit në lidhje me kuadrin ligjor dhe rregullator të titujve dhe të fondeve të investimit. Direktivat Europiane, theksoi Znj. Parnell, do të kenë ndikim në legjislacionin vendas të letrave me vlerë dhe si vend kandidat për anëtarësimin në BE, lind domosdoshmëria e përafrimit të legjislacionit të titujve me direktivat e BE-së si dhe direktivat MIFID, direktiva e prospektit, direktiva mbi transparencën etj. Por njëkohësisht ligjet dhe rregulloret e titujve duhet të jenë në përputhje edhe me parimet e IOSCO-s, pasi AMF është anëtare e kësaj organizate.

Znj. Buxton prezantoi edhe zhvillimet e ardhshme të AMF-së lidhur me kapacitetet e Autoritetit në përgjigje të zhvillimeve të tregjeve dhe rolin e tij në zhvillimin e tregjeve të kapitalit. Në përfundim të prezantimeve pjesëmarrësit u ftuan për sugjerime, komente dhe pyetje në lidhje me gjetjet dhe rekomandimet e eskperteve.

Projekti “Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve”, i cili financohet nga Sekretariati Zvicerian për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe mbështetet nga Banka Botërore, ka filluar në korrik të vitit 2016 dhe ka një kohëzgjatje trevjeçare. Faza e parë e tij u përmbyll në nëntor të vitit 2016 dhe aktualisht po punohet për fazën e dytë dhe të tretë të tij.

Për më shumë informacion kontaktoni [email protected]