26 Shtator 2017

Edukimi financiar dhe kujdesi për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, do të jenë në qendër të punës së AMF-së, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv në konferencë me mediat

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi, zhvilloi më datë 26 shtator një konferencë me mediat në lidhje me zhvillimet më të fundit në tregjet financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit. Në fillim të fjalës së tij, Z. Koçi u ndal te ndryshimet strukturore në AMF, të tilla që reflektojnë zhvillimet aktuale të tregjeve dhe marrjen e përgjegjësive reale për të garantuar të drejtat dhe interesat e konsumatorëve. Z. Koçi e vlerësoi si mjaft të rëndësishëm komunikimin me median, duke i ftuar gazetarët në komunikime të përbashkëta periodike.

Më tej, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv bëri një pasqyrim të zhvillimeve në tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit. Sipas të dhënave më të fundit, tregu i sigurimeve, për periudhën janar-gusht ka shënuar një rritje me rreth 12% të volumit të primeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shoqëruar gjithashtu me një rritje me 31% të dëmeve të paguara nga kompanitë. Z. Koçi u ndal te problemi i mbartur ndër vite me Fondin e Kompensimit, duke theksuar se AMF po punon për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare brenda vitit 2018.

“Gjatë këtyre muajve kemi qenë të fokusuar edhe për kryerjen e pagesave të Fondit të Kompensimit, një gangrenë tjetër që ka pasur tregu, nga shoqëritë që operojnë në tregun e sigurimeve, ku detyrimet e Fondit të Kompensimit datojnë qysh prej vitit 2002, pra përpara 15 vjetësh, të pashlyera. Ne jemi të angazhuar që brenda vitit 2018 të mos kemi asnjë pagesë të prapambetur për dëmet që i takojnë periudhave 2002-2016. Pagesat tashmë kanë filluar nga ngjarjet më të hershme dhe shoqëritë kanë marrë përgjegjësitë që u takojnë” – theksoi Z. Koçi.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së theksoi gjithashtu se Autoriteti, me asistencën e organizmave ndërkombëtare, po punon ende për të përmirësuar Ligjin "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” në pjesë të veçanta të tij, përpara se të miratohet në Parlament. Kjo, edhe pas problematikave që kanë dalë së fundi në treg mbi luhatjet e çmimeve apo mbi nivelin e përgjegjësisë mbi palët e treta, duke e orientuar të gjithë projektligjin në rritjen e besimit të publikut.

Z. Koçi pasqyroi edhe zhvillimet më të fundit në tregun e investimeve, ku evidentoi edhe licencimin e të parës Bursë shqiptare të titujve. Kjo, - u shpreh Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, - do të ndihmojë në zhvillimin më të mirë të tregut sekondar të letrave me vlerë, zgjerimin e mundësive për financim nga ana e sipërmarrësve, në përdorimin më efektiv të parasë dhe në krijimin e një energjie pozitive për ekonominë e vendit.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së apeloi edhe njëherë për të bërë shumë kujdes në rastet e investimeve në platformat online, ndërsa vlerësoi rolin e medias në këtë drejtim për të bërë që konsumatorët e këtij produkti të investojnë vetëm në platforma të sigurta dhe të licencuara. Z. Koçi prezantoi edhe treguesit e fundit statistikorë të zhvillimit të tregut të fondeve private vullnetare të pensionit, i cili vazhdon të mbetet një treg shumë i vogël dhe i brishtë. Ai kërkoi edhe mbështetjen e mediave për të rritur më tej ndërgjegjësimin e publikut për pjesëmarrje në këto skema private pensionesh.

Për të lexuar fjalën e plotë të Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së, ju lutem klikoni këtu.