3 Tetor 2017

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, publikon Gjeografinë e Sigurimeve 2016

Gjeografia e Sigurimeve 2016, pasqyron në mënyrë të detajuar shpërndarjen e primeve të shkruara bruto, dëmeve të paguara si edhe primit për frymë, sipas prefekturave.

Duke i hedhur një vështrim primit të shkruar bruto sipas shpërndarjes gjeografike, bie në sy përqëndrim i tregut të sigurimeve në prefekturat e mëdha, si Tirana me 60.96% të totalit të primeve të shkruara bruto gjatë vitit 2016, Durrësi me 8.12%, Fieri 5.20%, Shkodra 5.00%. Kjo tendecë përqëndrimi ka vazhduar të jetë e njëjtë gjatë gjithë viteve të publikimit të raportit Gjeografia e Sigurimeve.

Një tregues tjetër i rëndësishëm i këtij tregu është dendësia e sigurimeve. Për vitin 2016 ky tregues është rreth 5,313.13 lekë për frymë, me një rritje prej 436.27 lekë krahasuar me një vit më parë.

Përsa i përket primit për frymë sipas prefekturave, prefektura Tiranë me 10,804.48 lekë për frymë zë vendin e parë, e pasuar nga prefektura Gjirokastër me 5,703.03 lekë për frymë dhe më tej Durrësi dhe Shkodra përkatësisht me 4,358.11 lekë për frymë dhe 3,678.34 lekë për frymë.

Ky publikim përfshin gjithashtu edhe informacion të hollësishëm për dëmet e paguara gjatë vitit 2016 sipas prefekturave, duke krijuar edhe mundësinë e krahasimit të këtyre treguesve me ato të një viti më parë. Përsëri pjesën më të madhe të dëmeve të paguara e ka prefektura e Tiranës me 76.22%, e pasuar nga prefektura Durrës me 4.42%.

Ky është viti i nëntë radhazi që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i prezanton lexuesit ketë botim. Ai është publikuar për herë të parë me të dhënat e vitit 2007 dhe ka vazhduar të përpunohet dhe pasurohet çdo vit.

Për të lexuar tekstin e plotë të publikimit të Gjeografisë së Sigurimeve 2016 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.