22 Dhjetor 2017

Takim i përbashkët midis drejtuesve të lartë të autoriteteve mbikëqyrëse të Shqipërisë dhe Kosovës për ecurinë e tregut të sigurimeve

Në kuadër të bashkëpunimit midis autoriteteve mbikëqyrëse e rregullatore të tregut të sigurimeve të Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, një delegacion nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve zhvilloi sot, në datë 22 dhjetor, një takim pune pranë zyrave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së Z. Ervin Koçi duke mirëpritur dhe drejtuar këtë takim, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis autoriteteve rregullatore në tregun e sigurimeve të të dy vendeve si mundësi shumë e mirë e zgjerimit dhe forcimit të tregut të sigurimeve. Në këtë takim ishin të pranishëm drejtuesit ekzekutivë të shoqërive  shqiptare të sigurimit, të cilat e kanë shtrirë aktivitetin e tyre edhe në Kosovë si Z. Avni Ponari, Sigal Uniqa Group Austria, Z. Klaidi Çitozi, Sigma Interalbanian Viena Insurance Group, Z. Dritan Çelaj, Atlantik – shoqëri Sigurimesh si edhe drejtori i Byrosë Shqiptare të Sigurimeve Z. Kevin Lleshi. Delegacioni nga Kosova përbëhej nga drejtoi i departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve, pranë Bankës Qendrore të Kosovës Z. Nexhat Miftari si edhe drejtuesi i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Takimi lidhej me diskutimin e disa çështjeve specifike për tregun e sigurimeve dhe byrotë e sigurimeve përkatëse, në kuadër të Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2004 nga të dy institucionet. Synimi i takimit ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis dy institucioneve, në drejtim të mbikëqyrjes dhe rregullimit të tregjeve respektive.

Gjatë takimit përfaqësuesit e Byrosë Shqiptare dhe asaj Kosovare të sigurimeve diskutuan edhe për problematikat e dy tregjeve, si për pagesat e dëmeve dhe u trajtuan edhe detaje teknike për mënyrën e organizmit të këtyre pagesave.

Në përfundim të takimit u ra dakord të bëhet rakordimi i plotë midis të dy Byrove të Sigurimeve për detyrimet dhe pagesat e dëmeve brenda një afati të shkurt kohor. Gjithashtu do të fillojë puna për hartimin e një marrëveshje të re, specifike për bashkëpunim e mëtejshëm midis të dy institucioneve.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Z. Ervin Koçi theksoi gatishmërinë e AMF-së për të nxitur këtë bashkëpunim, shkëmbim të informacionit dhe përvojave teknike e profesionale midis institucioneve.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]