21 Mars 2018

AMF, pranë studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi ditën e mërkurë, më datë 21 mars 2018, ora 10:30, një leksion të hapur me studentët e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të “Strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit në tregjet financiare nën mbikëqyrje”, me qëllim kryesor rritjen e edukimit financiar të studentëve për rolin e Autoritetit. Gjatë aktivitetit u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Universitetit “Aleksandër Xhuvani” nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi dhe rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, Prof. Dr. Skënder Topi.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Z. Koçi theksoi se edukimi financiar në lidhje me tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së, për të rritur njohuritë dhe ndërgjegjësimin te publiku është shndërruar në një nga prioritetet e punës së Autoritetit. Për këtë arsye, AMF nisi vitin e kaluar një fushatë informuese, duke zhvilluar takime në disa universitete të vendit, për të vazhduar edhe këtë vit, duke zgjeruar më tej edhe grupet e interesit.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së theksoi se në fillim në muajit të ardhshëm Autoriteti do të prezantojë strategjinë 5-vjeçare për zhvillimin e tregjeve. Bëhet fjalë për një dokument të plotë orientues, i përpiluar me ndihmën e ekspertëve më të mirë që do të shërbejë si një udhërrëfyes për punën e institucionit në drejtim të edukimit financiar, rritjes dhe zhvillimit të tregjeve, si edhe garantimit të mbrojtjes së konsumatorëve e investitorëve.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së të gjitha vendimet e marra vitin e kaluar kanë qënë në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe investitorit, ndërsa Autoriteti mbetet i angazhuar në zgjidhjen e disa problematikave të mbartura ndër vite në treg, siç është rasti i Fondit të Kompensimit.

Z. Koçi i inkurajoi studentët të bëhen pjesë aktive e Konferencës së parë Kombëtare me titull: “Problemet dhe sfidat e zhvillimit të tregjeve nën mbikëqyrje dhe rëndësia e edukimit financiar”. Ata mund të kontribuojnë me punime të ndryshme për çështje që lidhen me tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit.

Nga ana e tij, Rektori Topi u deklarua besimplotë se marrëveshja e nënshkruar mes dy institucioneve do të jetë me përfitim reciprok. Ajo do ti shërbejë studentëve të universitetit, duke i asistuar me materiale të ndryshme burimore, apo duke i krijuar mundësinë e intershipeve pranë Autoritetit. Në anën tjetër, do të jetë një bazë e mirë për thellimin e bashkëpunimit me qëllim zgjerimin e njohurive financiare të studentëve dhe përgatitjen e tyre për tregun e punës.

Në orën e hapur të leksionit, studentët u njohën me rolin dhe funksionet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, si një institucion i pavarur, i krijuar mbi bazën e Ligjit 9572 të vitit 2006, që raporton në Kuvendin e Shqipërisë. AMF nuk merr para nga buxheti i shtetit, por financohet nga tregjet nën mbikëqyrje, ndërsa synon rregullimin e tyre duke mbrojtur njëkohësisht interesat e konsumatorëve dhe investitorëve.