2 Nentor 2015

Zhvillohet Forumi Global mbi Pensionet Private dhe Mbledhja e Përgjithshme Vjetore e IOPS-it

Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Pensioneve, (International Organisation of Pensions Supervisors, IOPS) në bashkëpunim me Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (Organisation for Economic Co-operation and Development, OECD) zhvilluan në datat 29-30 tetor, në Berlin, Gjermani, Forumin  Global mbi pensionet private, “Tendencat në tregun e pensioneve dhe ndryshimet në peizazhin mbikëqyrës” (Pension Trends and the Changing Supervisory Landscape). Pjesëmarrës në Forum ishin zyrtarë nga autoritetet rregullatore dhe mbikëqyrëse, ekspertë të nivelit të lartë nga industria e fondeve private të pensionit dhe institutet kërkimore nga vendet  anëtare të të dyja organizatave OECD dhe IOPS. Në këtë aktivitet merrte pjesë edhe Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë, si vend anëtar i IOPS-it.

Diskutimet në Forumin Global u fokusuan në një numër çështjesh rregullatore dhe mbikëqyrëse që ndikojnë në skemat e pensioneve private dhe publike, duke analizuar tendencat aktuale, arritjet dhe sfidat në procesin e reformave të sistemit të pensioneve. Prezantime u bënë duke marrë mjaft shembuj nga procesi i reformave të sistemit të pensioneve në Evropë, nga përfaqësues të autoritete të pensioneve dhe ekspertëve nga Anglia, Austria, Finlanda, Gjermania, Holanda, Rumania, Turqia, Zvicra, etj. Qëllimi ishte identifikimi i praktikave më të mira dhe marrja e përvojave nga vendet anëtare të OECD dhe IOPS.

Tematikat kryesore të trajtuara në sesione lidheshin me:

•    Mënyrat e ristrukturimit të investimeve afatgjata të fondeve të pensionit në mjedisin e sotëm ekonomik. Folësit në sesion diskutuan politikat dhe sfidat rregullatore të mbikëqyrjes së fondeve të pensioneve që veprojnë në një ekonomi globale me norma të ulta interesi; 

•    Madhësinë e fondeve të pensionit dhe çfarë konsiderohet një fond i madh pensioni. Prezantuesit shpjeguan përvojat nga vendet e tyre se si kontribuojnë këto fonde të mëdha pensionesh në stabilitetin financiar të vendit dhe se si mund të mbrohesh nga rreziqe të mundshme;

•    Mbrojtjen e konsumatorit në tregun e pensioneve private vullnetare. Panelistët i kushtuan vëmendje rezultateve nga projektet e ndërmarra nga IOPS dhe diskutuan për rolin e autoriteteve mbikëqyrëse të pensioneve në mbrojtjen dhe edukimin e konsumatorëve;
 
•    Zgjidhjet e mundshme për fazën e pagesës së anëtarëve të fondeve të pensioneve. Këto diskutime u lidhën me mbledhjen e informacionit mbi sjelljen ekonomike, faktorët njohës dhe emocionalë që ndikojnë mbi vendimet ekonomike të konsumatorit në tregun e pensioneve dhe rrjedhojat që ato mund të kenë në këtë treg.

Krahas Forumit, u zhvilluan edhe Mbledhjet e Komiteteve Teknike dhe Ekzekutive të IOPS dhe  Mbledhja e Përgjithshme Vjetore e IOPS-it. Në këto takime u prezantuan dhe u diskutuan reformat e ndërmarra në fushën e pensioneve private nga disa prej vendeve anëtare. Gjithashtu u miratua programi i punës dhe buxheti.