Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar - Mars 2009
Në periudhën janar- mars 2009, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 160,976, duke shënuar një rritje prej rreth 25% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Rritja e numrit të kontratave në 2009 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 1,944 milionë lekë, shifër kjo 32% më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2008. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 93% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 7%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 47% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53% të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.
Sigurimi i Detyrueshëm
Gjatë kësaj periudhe të vitit 2009 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 53 % të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.
- Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në janar - mars të vitit 2009 janë rreth 668 milionë lekë ose 1% më pak se periudha janar- mars 2008 ndërsa numri i kontratave ka pësuar një ulje prej 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
- Në periudhën janar - mars 2009, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 313 milionë lekë, ose 38% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2008, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
- Sigurimi Kufitar, gjatë kësaj periudhe 3-mujore të vitit 2009, të ardhurat e këtij lloj sigurimi shënuan një rritje me 17% krahasuar me periudhën janar- marsin 2008 dhe numri i kontratave të sigurimit kufitar pati një rritje në masën 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sigurimi vullnetar
Në periudhën janar-mars 2009, vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 920 milionë lekë, me një rritje prej 72% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, dhe po me të njëjtën shifër, rreth 67% rritje të numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 79% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 523 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 43% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 37% dhe më pas vjen sigurimi i garancive me 9%.
Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një rritje prej 14% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 36% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.
Në janar-mars të vitit 2009, sigurimet e përgjegjësisë vazhdojnë të ruajnë dinamikën më të lartë të rritjes. Rritja e këtij portofoli me rreth 213% krahasuar me janar-mars të vitit 2008, reflekton ndikimin që stadi aktual i zhvillimit të vendit ka në rritjen e sigurimit të përgjegjësive. Sigurimet inxhinjerike, të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë shumëfishuan rritjen në volumin e primeve të shkruara dhe në numrin të kontratave krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo shpjegohet me rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe në ndërtime të tjera inxhinjerike.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën janar- mars të vitit 2009 arritën në rreth 87 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 74% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 70% të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit lidhet si me rritjen e të ardhurave të sigurimit të shëndetit në udhëtim dhe me rritjen e të ardhurave të shëndetit privat.
Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës arriti në rreth 143 milionë lekë me një rritje prej 41% krahasuar me janar- mars të vitit 2008.Peshën më të madhe prej rreth 70% në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.
Dëmet e paguara bruto
Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në janar - mars të vitit 2009 ishte rreth 382 milionë lekë, ose 24 % më shumë se në janar- mars të vitit 2008.
Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 351 milionë lekë, apo 92% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqenëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme, Kasko Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:
në mijë lekë
Lloji i sigurimit | Viti | |
2008 | 2009 | |
Dëmi mesatar | ||
MTPL e brendshme | 88 | 88 |
Karton Jeshil | 821 | 917 |
Kasko | 87 | 93 |