27 Tetor 2009

Përmbledhje e zhvillimeve kryesore të Konferencës së 16-të Vjetore e IAIS-it

Mbikëqyrësit e sigurimeve forcojnë bazën për tregje të shëndetshme të sigurimeve

Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS) mbylli Konferencën Vjetore dhe Takimin e Përgjithshëm  në Rio de Janeiro, Brazil në datën 24 tetor 2009.

Konferenca u ofroi mbikëqyrësve të sigurimeve dhe profesionistëve të fushës mundësi për të shkëmbyer ide dhe për të diskutuar mbi forcimin e mbikëqyrjes së tregjeve të sigurimeve.   “Baza e gjerë e anëtarësisë së IAIS-it që përfaqëson rregullatorë dhe mbikëqyrës të sigurimeve nga 140 vende në të gjithë botën, vendosi në një pozicion unik këndvështrimin global drejt zhvillimit të standardeve të mbikëqyrjes, mbështetjes për trajnimin dhe implementimin e tyre dhe vendosjen e mekanizmave për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave”, tha Peter Braumüller, Kryetyari i Komitetit Ekzekutiv të IAIS-it. 

Gjatë konferencës u ndërmorën një sërë hapash të rëndësishëm, ku bëjnë pjesë:

•    Lançimi i Iniciativës së Aksesimit të Sigurimeve që përbën një qasje të re të bashkëpunimit ndërmjet agjencive ndërkombëtare të zhvillimit dhe mbikëqyrësve të sigurimeve. Qëllimi i iniciativës është forcimi i kapacitetit dhe ekspertizës së mbikëqyrësve të sigurimeve, si edhe lehtësimi i kontrollit të tregjeve.  

•    Nënshkrimi i Marrëveshjes Multilaterale të Mirëkuptimit nga tre anëtarë të tjerë të Shoqatës. Marrëveshja lehtëson bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave midis mbikëqyrësve.

•    Përshtatja e dokumentit udhëzues që përmban pikat kyçe të funksionimit të kolegjeve efektive të mbikëqyrjes së grupeve.

•    Përfshirja në materialet trajnuese të Institutit të Stabilitetit Financiar (FSI) e çështjeve që kanë interes të veçantë për mbikëqyrësit e sigurimeve.  Gjatë viteve të ardhshëm, FSI me mbështetjen e IAIS-it, do të prezantojë një sërë materialesh shtesë me temë sigurimet.

•    Përshtatja e një udhëzimi standard mbi burimet e kapitalit dhe aftësinë paguese, me synim përmirësimin e transparencës, krahasueshmërisë dhe konvergjencës në matjen e aftësisë paguese të siguruesve kudo në botë.

Tema e konferencës së këtij viti ishte “Sigurimet si mjet i zhvillimit socio-ekonomik, kriza ekonomike dhe e ardhmja e tregjeve të sigurimeve”.

Materiali i mëposhtëm përmban një përmbledhje të diskutimeve të Konferencës Vjetore, ndërsa dokumentet që u miratuan  në Konferencë, mund të gjenden në faqen Web të Shoqatës:

www.iaisweb.org

________________________________________

Përmbledhje nga sesionet e paneleve të Konferencës së 16-të Vjetore

1.    Sigurimet si një mjet i zhvillimit socio – ekonomik
Paneli diskutoi mbështetjen financiare dhe nevojën për të nxitur biznesin e sigurimeve nëpërmjet politikave të suksesshme rregullatore dhe mbikëqyrëse. Zhvillimi i sigurimeve në vende me të ardhura të ulëta ul ekspozimin kundrejt rreziqeve të papunësisë, sëmundjeve, vdekjes së të afërmve, vjedhjeve, aksidenteve rrugore apo aksidenteve të ndodhura në punë. Tregjet e mikrosigurimeve ndryshojnë nga vendi në vend dhe ndryshimet mund të ndikojnë në qasje të ndryshme të zhvillimit  dhe nxitjes së tregjeve.

Zhvillimi i tregut të mikrosigurimeve kushtëzohet nga mungesa e fuqisë blerëse, mungesa e kanaleve të shpërndarjes, kostot e larta të shitjes, kostot e larta të transaksioneve, etj. Thjeshtësia e produktit, praktikaliteti dhe kostot e ulëta përbëjnë çelësin e suksesit.
Lehtësirat e taksave u sugjeruan si një mjet për të nxitur zhvillimin e tregjeve të mikrosigurimeve. Të gjithë ranë dakord që Qeveritë duhet të luajnë rolin e tyre në mbështetjen e zhvillimit të mikrosigurimeve dhe nxitjen e edukimit financiar me objektiv mbrojtjen e interesave të grupeve të popullatës me të ardhura të ulëta.

2.    Mësimet nga kriza – për mbikëqyrësit dhe industrinë e sigurimeve
Në shqyrtimin  e mësimeve të nxjerra nga kriza, duhet bërë një dallim midis sektorit të sigurimeve dhe atij financiar. Paneli vlerësoi në veçanti se natyra sistemike e rrezikut tek sigurimet është e ndryshme nga ajo e sektorit bankar. Për rrjedhim, megjithëse ka shumë për të mësuar nga kriza e sektorit bankar, duhet treguar kujdes para se të ekstrapolohen dhe zbatohen masat e sektorit bankar tek sigurimet.

Kriza financiare ka treguar se duhen bërë përmirësime të mëtejshme në fushën e mbikëqyrjes së grupeve, investimeve, kërkesave të kapitalit dhe likuiditetit, menaxhimit të krizës dhe strukturës e procesit të rregullimit dhe mbikëqyrjes. 

Disa masa të rëndësishme që duhen pasur parasysh janë: standardet e konvergjuara globale, bazat e forta të bashkëpunimit në fushën e mbikëqyrjes dhe kuadri global i mbikëqyrjes së grupeve. Masat e tjera mund të përfshijnë një këndvështrim të ri për administrimin e investimeve, përmirësimin e cilësisë së kapitalit, administrimin  më të mirë të investimeve dhe riskut të likuiditetit dhe përgatitjen e mëtejshme për administrimin e krizës.  Paneli konkludoi se është e rëndësishme të vijohet me reformat globale të rregullimit financiar, pavarësisht shenjave të përmirësimit ekonomik, duke pasur parasysh se kriza financiare globale mund të mos e ketë dhënë akoma efektin e sak përfundimtar.

3.    Një arkitekturë e re ndërkombëtare e mbikëqyrjes
Panelistët diskutuan sesi kriza financiare ka nënvizuar rëndësinë e përmirësimit të bashkëpunimit ndërkufitar dhe koordinimit të mbikëqyrjes së grupeve. U theksua nevoja për një rregullim dhe mbikëqyrje të fortë si në nivel kompanie, edhe në nivel grupi, ndërsa panelistët theksuan se janë të nevojshëm mekanizma të njëjtë të vlerësimit për të garantuar krahasueshmërinë dhe konsistencën nga vendi në vend.  Në përmbledhjen e tij, Kryetari nënvizoi se megjithë ndryshimet në përqasje dhe shpejtësi të reformave nga vende të ndryshme, mbikëqyrësit në botë bazohen në pika bazë të përbashkëta dhe kanë të njëjtat synime.
IAIS mund të luajë një rol jetësor në evidentimin e ndryshimeve të mbikëqyrjes dhe garantimin e një bashkëpunimi më të mirë të mbikëqyrësve. 

4.    Nxitja e tregjeve të shëndosha të sigurimeve
Paneli diskutoi elementët rregullatorë që duhen për të nxitur tregje të shëndoshë të sigurimeve. Diskutimet përfshinë pikat e forta dhe dobësitë e masave rregullative të ndërmarra gjatë krizës financiare, si edhe masat që duhet marrë në këndvështrim afatgjatë për të nxitur tregje të shëndosha të sigurimeve. 

Elementët kryesorë për tregje të shëndosha të sigurimeve përfshijnë: një sistem ligjor të përshtatshëm, mbrojtje kundrejt mashtrimit, standarde të përshtatshme të kontabilitetit dhe një infrastrukturë të fortë të mbikëqyrjes.
Qeverisja e kompanisë duhet të ketë orientim afatgjatë dhe fokusi të mos jetë thjesht fitimi i aksionarëve, por edhe mbrojtja e klientëve dhe publikut. Ka një nevojë të qartë dhe urgjente për bashkëpunim më të mirë midis mbikëqyrësve  mbi bazë rajoni e më gjerë dhe një sjelljeje të koordinuar ndaj likuidimeve apo falimentimeve të shoqërive apo grupeve.

Dialogu shtet – privat është thelbësor në zhvillimin e praktikave të mbikëqyrjes. Në përgjithësi, modeli dhe kultura e biznesit tek sigurimet është konservatore dhe fokusohet në rreziqe afatgjata, çfarë ka rezultuar shumë pozitive gjatë krizës.

5.    Edukimi financiar dhe mbrojtja e konsumatorit
Folësit në panel diskutuan çështje të lidhura me mbrojtjen e konsumatorit në këndvështrimet e mbikëqyrjes dhe vetë tregut. Nevoja për mbrojtjen e konsumatorit buron nga një mungesë ekuilibri në fuqinë, informacionin dhe burimet ndërmjet palëve të përfshira në transaksion. 
Një çështje e njohur ishte ajo e këndvështrimit të mbrojtjes së konsumatorit të lidhur me sfidat e garantimit të ligjeve, rregulloreve dhe praktikave në funksion të arritjes së objektivit të mbrojtjes së konsumatorit. 

Krijimi i një sistemi të mirë për mbrojtjen e konsumatorit dhe edukimin, shpeshherë është një proces i gjatë që mbikëqyrësit dhe siguruesit së bashku duhet ta shohin në evoluim të pandërprerë. Dhënia e informacionit dhe fakteve tek konsumatorët, i ndihmon ata të marrin vendime më të mira gjatë zgjedhjes së produktit dhe të kuptojnë se si funksionon produkti dhe kur nevojitet ai.

6.    Zhvillimet globale në fushën e rregullimit dhe mbikëqyrjes së aftësisë paguese
Panelistët paraqitën zhvillimet e fundit dhe përmirësimet e bëra në vendet e tyrë në rregullimin e aftësisë paguese. U nënvizuan në mënyrë të veçantë: rëndësia e kërkesave të kapitalit të bazuar në rrezik, vlerësimi i aftësisë paguese në bazë grupi, vlerësimet aktuariale të provigjoneve teknike dhe testet profesionale të lidhura me to.  Panelistët theksuan nevojën për të dalluar përfitimet dhe dobësitë e lidhura me përdorimin e modeleve të brendshme për qëllime të rregullimit dhe mbikëqyrjes.

7.    Qeverisja e  kompanisë dhe administrimi i riskut
Në panel u diskutuan çështje të qeverisjes së kompanisë dhe praktikave të menaxhimit të rrezikut. Kriza e fundit financiare ka treguar rëndësinë e administrimit të rrezikut. Siguruesit duhet të marrin përsipër një masë të caktuar rreziku  në kursin e biznesit të tyre, duke realizuar njëkohësisht edhe fitimin e tyre. 

Mënyra sesi administrohet rreziku dhe kultura në lidhje me rrezikun dhe tolerancën ndaj, tij janë pika kyçe në qeverisjen e kompanisë. Praktikat dhe strukturat e administrimit të rrezikut duhet t’u përshtaten mirë rreziqeve dhe sfidave që paraqet ambienti i biznesit. Punësimi i njerëzve me njohuritë e nevojshme që përmbush kriteret e përcaktuara të ekspertizës dhe etikës, është një çelës drejt qeverisjes së suksesshme. Përveç kësaj, politikat e shpërblimeve nuk duhet të lejojnë bonuse të papërshtatshme, ndërsa është e rëndësishme të ruhet pavarësia e funksioneve të kontrollit.

8.    Bashkëpunimi ndërmjet mbikëqyrësve
Bashkëpunimi efektiv i mbikëqyrësve merr një rëndësi të veçantë në kushtet e një biznesi ndërkufitar dhe ndërsektorial. Kriza financiare ka nënvizuar nevojën e mbikëqyrësve të sigurimeve për t’u bashkuar, si në rastin e mekanizmit të kolegjeve të mbikëqyrjes, për të shmangur ndonjë hapësirë në rregullimin dhe mbikëqyrjen e grupeve të sigurimeve.

Përpjekjet e IAIS-it për të mbështetur bashkëpunimin e mbikëqyrësve në nivel global, vlerësohen shumë të rëndësishme veçanërisht në përgjigjen që u  jepet disa çështjeve që rrjedhin nga kriza financiare. Marrëveshja Multilaterale e Mirëkuptimit u përmend si një arritje e dukshme në drejtim të rritjes së bashkëpunimit.

Veprimtaritë e tjera në vijim që mbështesin objektivin e bashkëpunimit, lidhen me (i) iniciativat e hartimit të standardeve mbi bashkëpunimin ndërkufitar në menaxhimin e krizës, (ii) rezolutën së mbikëqyrjes së grupeve ndërkufitare dhe (iii) trajtimin e kompanive që nuk përfshihen në rregullat e mbikëqyrjes së vendeve përkatëse. Në funksion të qëllimit të përbashkët të mbikëqyrjes efektive të grupeve, është e nevojshme nxitja e shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit midis mbikëqyrësve.

Së fundmi, besimi i ndërsjellë midis mbikëqyrësve të sigurimeve, është një parakusht i rëndësishëm në çdo formë të mekanizmave të bashkëpunimit.

Material i nxjerrë nga Shoqata Ndërkombëtare e Rregullatorëve të Sigurimeve (IAIS), tetor 2009


Për të lexuar materialin e plotë në gjuhën angleze, klikoni këtu