25 Nentor 2009

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar - Tetor 2009

Në periudhën janar - tetor 2009, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 641,513 duke shënuar një rritje prej rreth 12.13% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Rritja e numrit të kontratave në 2009 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 6,685 milionë lekë, shifër kjo 11.82% më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2008. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 91.12% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8.88%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46.44% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm  zënë 53.56% të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.

Sigurimi i Detyrueshëm

Gjatë kësaj periudhe të vitit 2009, sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 53.56 % të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.

  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në janar - tetor të vitit 2009 janë rreth 2,293 milionë lekë ose 0.02% më pak se periudha  janar - tetor 2008 ndërsa numri i kontratave ka pësuar një rritje prej 6.08% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
  • Në periudhën janar - tetor 2009, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 953 milionë lekë, ose 21.55% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2008, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 0.18% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
  • Të ardhurat e Sigurimit Kufitar, në periudhën janar - tetor të vitit 2009 shënuan një rritje me 22.94% krahasuar me periudhën janar - tetor 2008 dhe numri i kontratave të sigurimit kufitar pati një rritje në masën 7.79% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi Vullnetar

Në periudhën janar - tetor 2009,  vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 3,104 milionë lekë me një rritje prej 18.10% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, dhe me rreth 26.55% rritje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 14.06% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,573 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 41.79% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 28.16% dhe më pas vjen  sigurimi i garancive  me 12.92%.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një rritje prej 10.87% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 23.74 % të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.

Në janar - tetor të vitit 2009, sigurimet e përgjegjësisë janë ulur me 35.12% krahasuar me janar - tetorin e vitit 2008. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një ulje prej 50.84% në volumin e primeve të shkruara dhe një rritje me 54.87%  në numrin e kontratave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën janar - tetor të vitit 2009 arritën në rreth 322 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 30.92% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 77.68 % të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit lidhet si me rritjen e të ardhurave të sigurimit të shëndetit në udhëtim dhe me rritjen e të ardhurave të shëndetit privat.

Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës arriti në rreth 594 milionë lekë me një rritje prej 38.92% krahasuar me janar - tetorin e vitit 2008.

Peshën më të madhe prej rreth 64.76% në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.

Dëmet e Paguara Bruto

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në janar - tetor të vitit 2009 ishte rreth 1,387 milionë lekë, ose 10.08 % më shumë se në janar - tetor  të vitit 2008. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 1,213 milionë lekë, apo    87.45% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorik, meqenëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për Kasko dhe Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

      në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

 

2008

 

2009

 

                                                              Dëmi mesatar

 

MTPL e brendshme

                      95

             105

Karton Jeshil

                    777

             648

Kasko

                      89

               98

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor janar - tetor 2009 përmban një pasqyrë të detajuar të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - tetor 2009 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - tetor 2009 (në versionin PDF) klikoni këtu