Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv

Znj. Mimoza Kaçi është Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Anëtare Bordi e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, emëruar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datë 11 prill 2024. Ajo ka mbajtur pozicionin e Nëndrejtorit Ekzekutiv të Autoritetit dhe Anëtares së Bordit prej muajit dhjetor 2014.

Diplomuar në Universitetin e Ekonomisë dhe Biznesit, në Vjenë, Austri, me profil tregjet e kapitalit dhe industrinë e sigurimeve, znj. Kaçi mban titullin Doktor i Shkencave nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

Znj. Kaçi ka përvojë të gjatë pune në administratën publike dhe në sektorin akademik, dhe ka drejtuar me sukses projekte të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe zhvillimin e tregjeve financiare jobankare. Përfshirja e saj në fushën akademike vijon si lektore e lëndëve të profilit Financë. Është autore e një serie punimesh shkencore dhe publikimesh në fushën ekonomike, si dhe kontribuese në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

Vlerësuar në mënyrë të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë në fushën financiare dhe me aftësi të shkëlqyera të komunikimit në gjuhët angleze dhe gjermane, znj. Kaçi ka nxitur bashkëpunimin me agjencitë homologe, si dhe integrimin e Autoritetit në organizmat evropiane dhe ndërkombëtare. Ajo udhëheq negociatat e integrimit për kapitullin 9 “Shërbimet financiare” me fokus rritjen e standardeve dhe përafrimin e legjislacionit me acquis communitaires.

Me njohuri të thelluara dhe ekspertizë në tregjet financiare, znj. Kaçi është e përkushtuar në përmirësimin e mëtejshëm të metodologjive mbikëqyrëse, si dhe në zhvillimin dhe modernizimin e sektorit financiar jobankar.