25 Prill 2014

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-mars 2014

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-mars 2014 arritën rreth  2,640 milionë lekë, ose 26.61% më shumë se në periudhën janar-mars 2013. Gjatë periudhës janar-mars 2014, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 204,660 me një ulje prej 12.08% krahasuar me periudhën janar-mars të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 89.36% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 10.06% dhe veprimtarinë e Risigurimit me rreth 0.58%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 49.37% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë 50.63% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-mars 2014, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 598 milionë lekë, ose 0.12%  më pak se e njëjta periudhë e vitit  2013.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-mars 2014 arritën rreth 1,329 milionë lekë, ose rreth 29.72% më shumë se periudha janar-mars 2013.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-mars 2014 pati një rritje prej 37.46% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një ulje prej 18.60% krahasuar me janar-mars 2013.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-mars 2014 pati një rritje prej 19.01% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një ulje me 6.98% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-mars 2014 pati një rritje me 4.00% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me periudhën janar-mars 2013. Kjo u shoqërua me një ulje të numrit të kontratave me 15.21%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-mars 2014 arritën rreth 1,296 milionë lekë, ose 23.36% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo u shoqërua me një ulje të numrit të kontratave të sigurimit vullnetar me 6.31% krahasuar me periudhën janar-mars 2013.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë periudhës janar-mars 2014, patën rritje me rreth 28.39%  kundrejt periudhës janar-mars 2013.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-mars 2014, siguruan rreth 721 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me rreth 69.27% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 16.96% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-mars 2014, vihet re një rritje prej 30.43% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 0.55% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-mars 2013.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-mars 2014, arritën në mbi 170 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 12.68% në krahasim me periudhën janar-mars  2013.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-mars 2014, arritën mbi 266 milionë lekë, ose rreth 7.11% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-mars 2014 u ulën me rreth 0.12% krahasuar me periudhën janar-mars të vitit 2013. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 478 milionë lekë, apo 79.92% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

janar-mars

Ndryshimi

2013

2014

(në %)

Dëmi mesatar

 

MTPL e brendshme

201

226

12.31

Karton Jeshil

964

622

(35.43)

Kasko

73

                 77

5.39


Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-mars 2014, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar-mars 2014 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.