14 Korrik 2014

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare fillon zbatimin e projektit të asistencës për tregun e sigurimeve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të programit të vlerësimit të sektorit financiar (FSAP) dhe me mbështetjen e Bankës Botërore, nëpërmjet First Initiative (Financial Sector Reform and Strengthening Initiative) filloi zbatimin e projektit të asistencës teknike për reformën në tregun e sigurimeve. Objektivi i këtij projekti është të ndihmojë AMF-në në përmbushjen e reformave ligjore dhe rregullatore për të forcuar mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit të sigurimeve dhe për të mundësuar zhvillimin e produkteve të sigurimit nga tërmetet.

Projekti përqendrohet në tre komponentë bazë që janë:

-    rishikimi i kuadrit rregullator për produktet e sigurimit MTPL me theks të veçantë mbi teknikat e përllogaritjes së provigjoneve të dëmeve nga produktet e sigurimit MTPL;
-    rishikimi i kuadrit të përgjithshëm mbikëqyrës me theks të veçantë ndërtimin e manualeve tematike të inspektimit, si dhe plotësimin e kuadrit rregullator në funksion të ligjit të ri, i cili parashikon mbikëqyrjen me bazë risku;
-    dizenjimi dhe zhvillimi i një programi kombëtar për sigurimin nga tërmetet.  

Projekti i asistencës ka një shtrirje kohore prej 24 muajsh dhe pritet të përfundojë në vitin 2016. Java 4 - 10 korrik 2014 shënon fillimin e projektit. Gjatë kësaj jave grupi i ekspertëve të Bankës Botërore i përbërë nga z. Eugene Gurenko dhe znj. Alma Qamo shqyrtuan me stafin e AMF-së dhe palë të tjera të interesuara, si shoqëri sigurimesh dhe institucione shtetërore kushtet për të nxitur reformën e tregut të sigurimeve.

Për më tepër informacion në lidhje me këtë aktivitet kontaktoni në [email protected]