25 Shkurt 2016

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për muajin janar 2016

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar 2016 kapën vlerën mbi 1,021 milionë lekë, ose 13.85% më pak se në muajin janar 2015. Gjatë muajit janar 2016, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 72,134 me një ulje prej 3.05% krahasuar me muajin janar 2015. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.94% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 9.06%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 40.31% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 59.69% të totalit të tregut.

Gjatë muajit janar 2016, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 260 milionë lekë, ose 18.72% më shumë se në muajin janar 2015.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar 2016 arritën rreth 610 milionë lekë, ose 7.50% më pak se në muajin janar 2015.

Produkti MTPL e brendshme, në muajin janar 2016, pati një ulje prej 10.10% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një ulje të numrit të kontratave prej 9.36% krahasuar me muajin janar 2015.

Produkti Sigurim Kufitar në muajin janar 2016 pati një ulje prej 24.04% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 12.95% krahasuar me muajin janar 2015.

Produkti Karton Jeshil, në muajin janar 2016, pati një rritje me 10.41% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me muajin janar 2015. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 15.93%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë muajit janar 2016 arritën mbi 412 milionë lekë, 20.43% më pak se në muajin janar 2015. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 0.14% krahasuar me muajin janar 2015.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë muajit janar 2016, patën ulje me 25.23% kundrejt muajit janar 2015.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë muajit janar 2016 siguruan mbi 153 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 57.48%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 30.81% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë muajit janar 2016, vihet re një ulje prej 64.23% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një ulje me 2.42% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me muajin janar 2015.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë muajit janar 2016, arritën në rreth 106 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 6.09% në krahasim me muajin janar 2015.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë muajit janar 2016, arritën rreth 93 milionë lekë, ose 2.13% më shumë se në muajin janar 2015.

 

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë muajit janar 2016 u rritën me 18.72% krahasuar me muajin janar 2015. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 157 milionë lekë, apo 60.51% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

 Në mijë lekë

Lloji i sigurimit

janar

Ndryshimi

 2015

2016

(në %)

                                 Dëmi mesatar

 

MTPL e brendshme

233

174

(25.35)

Karton Jeshil

586

1,042

77.86

Kasko

78

60

(23.73)

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për muajin janar 2016, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.


Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për muajin janar 2016 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.