19 Korrik 2017

AMF, në takim me brokerat e licencuar në sigurime, thekson misionin e përbashkët për mbrojtjen e konsumatorit

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Koçi, zhvilloi sot, më datë 19 korrik, një takim me brokerat e licencuar në sigurime. Qëllimi kryesor i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit dhe komunikimit të mëtejshëm me shoqëritë e brokerimit dhe brokerat fizikë, për të siguruar një mbrojtje sa më të mirë të interesave të konsumatorëve.

Nga veprimtaria e brokerimit, gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, janë realizuar më shumë se 1.95 miliardë lekë prime të shkruara bruto, kryesisht të realizuara në sigurimin e detyrueshëm motorik. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së Z. Koçi vlerësoi si mjaft të rëndësishëm veprimtarinë e brokerimit në sigurime, për t’i ofruar konsumatorit zgjedhjen e alternativës më të mirë. Z. Koçi theksoi se AMF, në strukturën e re organizative, do të ketë një njësi të posaçme për monitorimin e brokerave, e cila do të realizojë edhe inspektimet on-site dhe off-site për të mbikëqyrur veprimtarinë e brokerimit, duke pasur në vëmendje praktikat më të mira të vendeve të rajonit dhe të Evropës. Qëllim parësor i saj do të jetë mbrojtja sa më mirë e interesave të konsumatorëve. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv prezantoi synimin kryesor të AMF-së, për zgjerimin e pasurimin e tregut të sigurimeve me produkte sa më të përshtatshme për konsumatorin dhe punën që po bën AMF për hartimin e një strategjie afatgjatë për zgjerimin e tregjeve nën mbikëqyrje. Ai i ftoi shoqëritë e brokerimit për të dhënë kontributin e tyre për zhvillimin më tej të tregut të sigurimeve.

Gjatë takimit shoqëritë e brokerimit prezantuan problematikat dhe këndvështrimet e tyre në realizimin e punës së përditshme. Ata u shprehën të gatshëm për të rritur bashkëpunimin e mëtejshëm me Autoritetin, duke sjellë edhe propozime për ndryshime dhe shtesa në legjislacionin ekzistues, që do të ndikojë në funksionimin sa më të mirë të tregut dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve. Ndër propozimet përfshiheshin edhe:

  • Klasifikimi i brokerave që veprojnë në treg, për kapacitetin dhe funksionimin e tyre, bazuar në raportimet periodike që ata sjellin në AMF;
  • Plotësimi i akteve nënligjore në mënyrë që të vendoset përfaqësimi i brokerit në kontratën e sigurimit, duke e krijuar kështu mundësinë për një mbrojtje më të mirë të konsumatorit.
Veprimtaria e brokerimit në Shqipëri, deri tani, është e drejtuar kryesisht tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat zënë mbi 98% të veprimtarisë së tyre dhe një përqindje fare të vogël e zë brokerimi për sigurimin e Jetës. Në treg janë të licencuar dhe operojnë 34 broker fizikë dhe 15 shoqëri brokerimi, duke përfshirë edhe 3 banka.

Për më shumë informacion kontaktoni [email protected]