8 Tetor 2015

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me mbështetjen e Bankës Botërore, më 8 tetor 2015 organizon në Tiranë konferencën “Sistemi i pensioneve vullnetare në Shqipëri - zgjerimi i mbulimit”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) me mbështetjen e Bankës Botërore do të zhvillojë në Tiranë, në datën 8 tetor 2015 konferencën “Sistemi i pensioneve vullnetare në Shqipëri - zgjerimi i mbulimit”. Konferenca do të pasqyrojë ecurinë e tregut të pensioneve private në Shqipëri, mundësitë dhe sfidat që paraqet zgjerimi i këtij tregu në vend. Pjesëmarrës do të jenë ligjvënës, zyrtarë të lartë të qeverisë dhe institucioneve të huaja ndërkombëtare, si edhe institucione rregullatore, homologe të AMF-së në rajon.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Z. Blendi Klosi do të jetë i pranishëm dhe do të përshëndesë punimet e kësaj konference.  

Konferencën do ta përshëndesë edhe Znj. Tahseen Sayed, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri.

Në këtë konferencë do të prezantohen rezultatet e anketimit të zhvilluar nga AMF në bashkëpunim me Institutin e Statistikës (INSTAT) në mbi 500 subjekte ekonomike private në të gjithë Shqipërinë në lidhje me mundësinë e zgjerimit të tregut të pensioneve vullnetare në vend. Konferenca do të japë edhe rekomandime për mundësitë e shtrirjes dhe pjesëmarrjes më të gjerë në fondet e pensioneve vullnetare private.

Në konferencë do të prezantojnë përvojat e tyre disa shoqëri shqiptare, të cilat kanë ofruar për punonjësit e tyre përfshirjen në skemat e pensioneve vullnetare private. Një tjetër këndvështrim për zhvillimin e tregut do të prezantojnë edhe tre shoqëritë administruese të fondeve të pensioneve, për avantazhet që sjell përfshirja në këto fonde dhe mundësitë për zgjerim.

Konferenca është pjesë e një projekti më të gjerë që po zbatohet nga AMF në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) dhe me mbështetjen e Bankës Botërore, nëpërmjet First Initiative (Financial Sector Reform and Strengthening Initiative), i cili krahas zgjerimit synon edhe asistencën teknike për mbikëqyrjen efektive të tregut të pensioneve vullnetare private në vend. (Informacioni në web http://amf.gov.al/bashkepunimi_projekt.asp?id=8)

Konferenca do të mbahet në Tirana International Hotel. Për axhendën e konferencës klikoni këtu.  

Për më tepër informacion, kontaktoni [email protected]