25 Nentor 2015

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar - tetor 2015

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar - tetor 2015 kapën vlerën mbi 11,108 milionë lekë, ose 16.87% më shumë se në periudhën janar - tetor 2014. Gjatë periudhës janar - tetor 2015, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 898,798 me një rritje prej 6.56% krahasuar me periudhën janar - tetor 2014. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.02% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 6.86% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.12%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.79% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.21% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar - tetor 2015, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,644 milionë lekë, ose 19.64% më shumë se në periudhën janar - tetor 2014.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar - tetor 2015 arritën rreth 6,791 milionë lekë, ose 21.02% më shumë se në periudhën janar - tetor 2014.

 

Produkti MTPL e brendshme,periudhën janar - tetor 2015, pati një rritje prej 26.44% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të kontratave prej 6.85% krahasuar me periudhën janar - tetor 2014.

 

Produkti Sigurim Kufitarperiudhën janar - tetor 2015 pati një ulje prej 14.73% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 25.40% krahasuar me periudhën janar - tetor 2014.

 

Produkti Karton Jeshil,periudhën janar - tetor 2015, pati një rritje me 17.24% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar - tetor 2014. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 18.37%.

 

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar - tetor 2015 arritën mbi 4,304 milionë lekë, 11.34% më shumë se në periudhën janar - tetor 2014. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 10.18% krahasuar me periudhën janar - tetor 2014.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar - tetor 2015, patën rritje me 16.85% kundrejt periudhës janar - tetor 2014.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar - tetor 2015 siguruan mbi 2,002 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 71.60%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 19.27% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar - tetor 2015, vihet re një ulje prej 1.69% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 6.41% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar - tetor 2014.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar - tetor 2015, arritën në rreth 973 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 43.25% në krahasim me periudhën janar - tetor 2014.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar - tetor 2015, arritën rreth 763 milionë lekë, ose 8.66% më pak se në periudhën janar - tetor të vitit të kaluar.

 

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar - tetor 2015 u rritën me 19.64% krahasuar me periudhën janar - tetor 2014. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,663 milionë lekë, apo 62.87% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar - tetor 2015, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për muajin janar - tetor 2015 (në versionin EXCEL) klikoni këtu