25 Nentor 2015

AMF organizoi tryezën e rrumbullakët me temë “Mbështetja e bashkëpunimit rajonal për mbikëqyrjen ndërkufitare dhe të grupeve në sigurime”

Në datat 24-25 nëntor 2015 Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi tryezën e rrumbullakët  “Mbështetja e bashkëpunimit rajonal për mbikëqyrjen ndërkufitare dhe të grupeve në sigurime”. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Trupën Vullnetare të Shërbimeve Financiare të USAID. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin përfaqësues të autoriteteve homologe, mbikëqyrëse të sektorit të sigurimeve nga vendet e Evropës Juglindore, si Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Republika Serbe e Bosnje-Hercegovinës dhe Sllovenia. Takimi u përshëndet nga Z. Peter Braumüller, Drejtor Ekzekutiv në FMA Austri, përgjegjës për mbikëqyrjen e shoqërive të sigurimit dhe fondeve të pensionit, njëherësh Drejtor i Komitetit të Buxhetit të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime (International Organisation of Insurance Supervisors, IAIS). Në tryezën e rrumbullakët përshëndetën edhe Z. Sergei Simoniti, President i Këshillit të Ekspertëve dhe Drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve në Slloveni dhe Z. Klime Poposki, President i Këshillit të Ekspertëve në Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sigurimeve në Maqedoni.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Znj. Enkeleda Shehi, theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit midis rregullatorëve në rajon për tregun e sigurimeve.  Znj. Shehi theksoi se autoritetet rregullatore kanë nevojë të kuptojnë më shumë tregjet e rajonit dhe të fillojnë të mendojnë më gjerë për harmonizimin e mekanizmave për mbikëqyrjen e grupeve, në përputhje me Parimet Bazë të Mbikëqyrjes dhe praktikat ndërkombëtare, si edhe të kenë një kuptim të përbashkët mbi zbatimin e standardeve ndërkombëtare.

Z. Peter Braumüller e konsideroi bashkëpunimin rajonal për mbikëqyrjen në sigurime si një çështje shumë të rëndësishme duke nënvizuar faktin se rreth 35% e primeve të shkruara bruto të kompanive austriake realizohen në vendet jashtë Austrisë. Ai vlerësoi sidomos punën e kolegjeve mbikëqyrëse, inspektimet e përbashkëta dhe mbledhjet teknike në forcimin e  bashkëpunimit rajonal. Kuadri ligjor është i rëndësishëm, theksoi z. Braumüller, po aq sa edhe bashkëpunimi midis stafeve dhe rritja e njohurive, besimit dhe përkushtimit për bashkëpunimin rajonal.

Z. Sergei Simoniti, theksoi interesin që kanë pasur gjithnjë grupet sllovene të sigurimeve për tregun shqiptar. Edhe kjo pjesëmarrje në këtë aktivitet i shërben njohjes dhe vlerësimit më tej të tendencave të zhvillimit të tregut shqiptar të sigurimeve.

Duke përshëndetur tryezën e rrumbullakët, Z. Klime Poposki, evidentoi se nga 15 shoqëri që funksionojnë në tregun e sigurimeve në Maqedoni, 10 prej tyre kanë kapital të përbashkët, austriak, shqiptar dhe slloven dhe realizojnë së bashku rreth 80% të primeve të shkruara bruto. Ai vlerësoi shumë bashkëpunimin me AMF nëpërmjet inspektimeve të përbashkëta të realizuara nga të dy autoritet mbikëqyrëse të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Ish komisionerja e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Bankave dhe Sigurimeve të shtetit të New Jersey, SHBA, me përvojë të gjatë në tregun e sigurimeve, Znj. Holly Bakke, prezantoi praktikat më të mira lidhur me mbikëqyrjen e grupeve dhe atë ndërkufitare, si edhe disa prej ndryshimeve më të fundit në Parimet Bazë të Sigurimeve (ICP). Gjatë aktivitetit, ekspertë të secilit nga vendet dhanë përvojat e vendit të tyre lidhur me zbatimin e ICP-ve për mbikëqyrjen e grupeve.

Në këtë tryezë u diskutuan mundësitë për koordinimin e strategjive rajonale lidhur me disa problematika në mbikëqyrjen në sigurime si licencimi, regjimi i aftësisë paguese, shkëmbimi i të dhënave, kujdesi për të dhënat konfidenciale, kërkesat për mbikëqyrjen e grupeve dhe atë ndërkufitare, si dhe roli i kolegjeve të mbikëqyrjes.

Në përfundim u ra dakord për zhvillimin e një kuadri të përbashkët pune për thellimin më tej të bashkëpunimit rajonal.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]