25 Nentor 2015

Zhvillohet takimi i përbashkët midis AMF-së dhe autoriteteve mbikëqyrëse të Austrisë dhe Sllovenisë

Në vijim të bashkëpunimit për çështjet e mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) organizoi në datat 24-25 nëntor 2015 në Tiranë, takime me përfaqësues të Autoritetit të Tregjeve Financiare të Austrisë (FMA) dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Sllovenisë (ISO). Delegacioni nga FMA e Austrisë kryesohej nga Z. Peter Braumüller, Drejtor Ekzekutiv në FMA, përgjegjës për mbikëqyrjen e shoqërive të sigurimit dhe fondeve të pensionit, njëherësh Drejtor i Komitetit të Buxhetit të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS). Delegacioni nga ISO kryesohej nga Z. Sergej Simoniti, President i Këshillit të Ekspertëve njëkohësisht Drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Sllovenisë.

Takimi u përqendrua në zhvillimet kryesore në tregjet e sigurimeve të Austrisë, Sllovenisë dhe Shqipërisë gjatë vitit 2015, sidomos të shoqërive austriake të pranishme në Shqipëri dhe në rajon, masat mbikëqyrëse dhe përshkallëzimi i tyre, çështjet e ekuivalencës lidhur me trajtimin e të dhënave që përbëjnë sekret profesional në kuadër të EIOPA-s (Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve), mbështetja për qendrën e edukimit të ngritur pranë AMF-së, forcimi i bashkëpunimit, duke përfshirë edhe tregun e pensioneve private vullnetare, si dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal për të përmirësuar praktikat e mbikëqyrjes dhe për t’u harmonizuar me standardet ndërkombëtare të mbikëqyrjes.

Ky takim u mbajt në kuadër të një përpjekjeje rajonale të iniciuar nga autoritetet mbikëqyrëse të Austrisë dhe Sllovenisë për të rritur vëmendjen dhe harmonizuar praktikat e autoriteteve rregullatore të rajonit të Ballkanit Perëndimor në çështjet e mbikëqyrjes dhe rregullimit të sjelljes në treg të operatorëve të tregut të sigurimeve. Nga diskutimet u theksua se trajtimi i çështjeve të sjelljes në treg është i rëndësishëm për kuadrin e mbikëqyrjes me bazë rreziku, në tregun e sigurimeve, por edhe në tregjet e tjera financiare. AMF shprehu gatishmërinë për të qenë pjesë e kësaj përpjekjeje.
 
Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]