3 Tetor 2022

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së takon përfaqësuesit e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete, zhvilloi sot një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga znj. Yan Sun, shefe e Misionit për Shqipërinë. Bisedimet u përqendruan te zhvillimet e fundit në tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit, ndikimet e faktorëve të jashtëm dhe luhatshmëria e tregjeve financiare, si edhe masat e marra nga Autoriteti.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, duke u ndalur te ecuria e tregjeve nën mbikëqyrje, vlerësoi se ndikimet kryesore si pasojë e luhatjes së tregjeve financiare botërore, rritjes së inflacionit dhe normave të interesit janë reflektuar kryesisht te fondet e investimit, ndërsa në tregjet e sigurimeve dhe pensioneve private efektet deri tani kanë qenë të kufizuara.  

Z. Mete theksoi se Autoriteti ka treguar vëmendje të shtuar në monitorimin e treguesve kryesorë financiarë të subjekteve nën mbikëqyrje. Ai veçoi vendimet e Bordit të AMF-së për të adresuar efektet vijuese të situatës së tregjeve financiare dhe presionet rritëse të normave të interesit.  

Shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, znj. Yan Sun vlerësoi rolin e Autoritetit si edhe masat e marra prej tij në funksion të garantimit të stabilitetit financiar dhe amortizimit të ndikimeve në tregjet nën mbikëqyrje. Ajo kërkoi ushtrimin e një kujdesi të shtuar monitorues, marrë në konsideratë se situata ndërkombëtare mbetet e paqartë dhe presionet inflacioniste parashikohet të jenë të pranishme.

Në këtë drejtim, pjesëmarrësit në takim ndanë qëndrimin se monitorimi në vijimësi dhe mënyrë të kujdesshme i situatës, bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare dhe autoritetet homologe për realizimin e ndërhyrjeve të matura dhe të duhura rregullatore, është me rëndësi të veçantë për adresimin e efekteve të mundshme në tregjet financiare nën mbikëqyrje.  
 
Në përfundim, Z. Mete falenderoi Fondin Monetar Ndërkombëtar për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Autoritetin, edhe në kuadër të misioneve të asistencës teknike dhe shprehu gadishmërinë për të thelluar më tej marrëdhëniet e mira mes dy institucioneve.