16 Nentor 2022

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF, Z. Ervin Mete në konferencën ndërkombëtare “Financat e gjelbra - Mundësi për sektorin financiar në Shqipëri"

Përshëndetje të gjithëve,

Duke ju falenderuar për pjesëmarrjen, ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë, e dyta e këtij formati, që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizon në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Sekretariatin Zviceran për Çështjet Ekonomike, të cilët i falenderoj për mbështetjen e vazhdueshme.  

Le ta konsiderojmë këtë event, si një forum për dialog të përbashkët, me synim promovimin e rolit të sektorit financiar për një ekonomi të qëndrueshme dhe identifikimin e kushteve bazë për krijimin e një ekosistemi që nxit financa të gjelbra, sikurse mund të jetë një kuadër i përshtatshëm rregullator, një infrastrukturë e përshtatshme tregu, apo kërkesa për raportim dhe transparencë. Ky event synon rritjen e ndërgjegjësimit për efektet financiare dhe ekonomike të ndryshimeve klimatike dhe risqeve që lidhen me faktorët mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes korporative, të ashtuquajturit faktorë ESG, si dhe shpresoj që të japë një impakt pozitiv në ndryshimin e sjelljes financiare të investitorëve shqiptarë për të konsideruar faktorët mjedisorë gjatë krijimit të portofolit të tyre të investimeve. Mobilizimi i flukseve financiare dhe i investimeve në projekte të gjelbra është me rëndësi për një të ardhme të qëndrueshme.

Një falenderim i veçantë edhe për të gjithë të ftuarit në panel, me rol kyç në këtë diskutim sa të domosdoshëm aq edhe sfidues, që do të ndajnë me ne eksperiencën lidhur me iniciativat e ndërmarra për financimin e gjelbër, një tematikë kjo që po merr vëmendje të shtuar dhe prioritet në nivel global, siç është edhe konferenca e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike (COP27), që po zhvillohet gjatë këtyre ditëve.  
 
Përmes angazhimit të ndërmarrë në marrëveshjen e Parisit, nënshkruar edhe nga Shqipëria në vitin 2016 apo axhendës 2030 të Kombeve të Bashkuara për një zhvillim të qëndrueshëm, të gjitha shtetet po ndërmarrin iniciativa për të financuar kalimin drejt një ekonomie të gjelbër dhe rrjedhimisht të qëndrueshme. Ndryshimet klimatike janë një problem global, një sfidë e përbashkët, me ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin financiar.

Komisioni Evropian, në dhjetor të vitit 2019 prezantoi iniciativën, e njohur si European Green Deal, një strategji që nxit investimet publike dhe private në projekte të qëndrueshme dhe që synon ta bëjë Europën kontinentin e parë neutral ndaj klimës dhe me emetim zero deri në vitin 2050. Sipas planit të investimeve të Bashkimit Evoprian, parashikohet mobilizimi i rreth 1 trilion Eurove gjatë dekadës së ardhshme, ku gjithashtu 1/3 e fondit të parashikuar për rimëkëmbjen nga pandemia COVID-19 do të shërbejë për financimin e kësaj nisme. Diskutimet aktuale në BE mbi financat e qëndrueshme kanë shtuar detyra të reja për mbikëqyrësit e bankave, sigurimeve, fondeve të investimit, fondeve të pensionit, apo aktorëve të tjerë të sektorit financiar.

Në këto rrethana ka ardhur momenti që të ndërgjegjësohemi dhe të mendojmë se si mund t’i bëjmë faktorët mjedisorë që lidhen me qëndrueshmërinë, pjesë integrale të politikave tona financiare.

Dëshiroj të përgëzoj iniciativat e disa prej aktorëve të sektorit financiar shqiptar në përfshirjen e faktorëve mjedisorë në ushtrimin e veprimtarisë së tyre, por besoj se ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Sektori financiar ka një rol kyç në arritjen e këtyre objektivave, pasi ai shërben për të riorientuar investimet drejt teknologjive dhe bizneseve të gjelbra, si edhe për të financuar rritjen në një mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Riorientimi i kapitalit privat drejt investimeve të gjelbra kërkon një ndryshim të mendësisë në mënyrën se si funksionon sistemi financiar.

Por, suksesi i këtij objektivi varet shumë nga përfshirja dhe angazhimi i të gjithë aktorëve së bashku, sektorit publik, atij privat, ne si rregullatorë dhe mbikëqyrës dhe të gjithë palët e interesit.

Rritja e kërkesave për transparencë dhe informacion lidhur me faktorët ESG dhe menaxhimin e rrezikut të këtyre faktorëve përbën domosdoshmëri, në mënyrë që investitori të marrë vendime të mirëinformuara lidhur me produktet financiare. Bashkimi Evropian ka ndërmarrë ndryshime në kuadrin e vet rregullator për të përfshirë në legjislacion aspektet dhe faktorët që ndikojnë në qëndrueshmëri. Kështu së fundmi direktiva MIFID II, mbi bazën e së cilës është hartuar edhe ligji ynë mbi tregjet e kapitalit, ka pësuar ndryshime duke përfshirë elementët ESG.  Këto ndryshime parashikojnë kërkesa të reja për bankat që ofrojnë shërbime investimi dhe për shoqëritë komisionere që gjatë vlerësimit të përshtatshmërisë së klientit për një produkt apo shërbim financiar të marrin në konsideratë edhe faktorët ESG, duke marrë informacion nga klienti edhe për preferencat e tij lidhur me këta faktorë. Shoqëritë komisionere duhet të kenë të gjitha mekanizmat e duhur që sigurojnë se produktet dhe shërbimet që ato synojnë të ofrojnë apo rekomandojnë janë në përputhje me nevojat e klientit, profilin e tij të rrezikut apo objektivat e tij, përfshirë edhe objektivat që lidhen me qëndrueshmërinë. Në kuadër të negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe më specifikisht, të Kapitullit 9 “Shërbimet Financiare” që udhëhiqet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, është marrë angazhimi për përputhje me direktivat europiane, përfshirë edhe amendimet e këtyre direktivave.

Në nivel të Bashkimit Evropian, Rregulloret e taksonomisë, transparencës dhe benchmark-ut kanë krijuar kuadrin ligjor që nxit investime të qëndrueshme. Kështu rregullorja e taksonomisë krijon kushtet për një sistem të unifikuar klasifikimi, rregullorja e transparencës parashikon detyrimin e investitorëvë institucionalë dhe menaxherëve të aseteve për të bërë publike informacionin mbi integrimin e faktorëve ESG në aktivitetin e tyre, përfshirë analizën e riskut të këtyre faktorëve. Ndërsa rregullorja e Benchmark vendos kërkesa, të cilat duhet të plotësohen nga ofruesit gjatë krijimit të një standardi klimatik, me qëllim sigurimin e integritetit dhe besueshmërisë, si një element i nevojshëm që i shërben krahasimit të performancës së portofolit të investitorit.

Si pjesë e planit të veprimit të saj për financa të qëndrueshme, aktualisht në qendër të diskutimeve të BE-së, është edhe krijimi i një standardi për obligacionet e gjelbra (EU Green Bond Standard). Një standard i unifikuar për obligacione të gjelbra, inkurajon pjesëmarrësit e tregut të emetojnë dhe investojnë në bonde të gjelbra dhe nxit efektivitetin dhe besueshmërinë në tregjet financiare.

Për gjithë sa më sipër, rregullatorët dhe mbikëqyrësit kanë rol thelbësor lidhur me krijimin e kushteve që nxisin investime të gjelbra, rritjen e kërkesave për transparencë dhe promovimin e nevojës për orientim të kapitalit drejt investimeve të qëndrueshme.

Shqipëria vlerësohet si vend me risk të lartë sa i përket katastrofave natyrore. Indeksi “Risk Inform” i Komisionit Evropian e vlerëson nivelin e përgjithshëm të rrezikut të Shqipërisë mbi mesataren e Bashkimit Evropian. Sektori financiar është direkt i ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve. Por në anën tjetër, ky sektor mund të përshpjetojë kalimin drejt një ekonomie të gjelbër, duke u bërë financuesi kryesor i investimeve pro mjedisit, si edhe duke ofruar zgjidhje të transferimit të rrezikut.  

Financat e gjelbra janë një tematikë e re për tregun tonë financiar dhe kjo bën edhe më shumë të nevojshme bashkëpunimin dhe koordinimin mes të gjithë aktorëve të përfshirë, si në drejtim të të kuptuarit, ashtu edhe sa i përket avancimit drejt financimeve të gjelbra dhe të qëndrueshme. 

Uroj që diskutimet në këtë konferencë dhe në panelet e saj të shërbejnë në këtë drejtim.