7 Dhjetor 2022

Përafrimi legjislativ me BE-në dhe praktikat mbikëqyrëse, AMF dhe MFSA nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Autoriteti i Shërbimeve Financiare të Maltës (MFSA) nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi në kuadër të shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit mes dy rregullatorëve. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, z. Ervin Mete dhe Drejtoresha Ekzekutive e MFSA-së, znj. Michelle Mizzi Buontempo.

Marrëveshja përcakton një kuadër të qartë bashkëpunimi mes dy rregullatorëve në të gjitha fushat ku ata ushtrojnë funksionet e tyre mbikëqyrëse, tregun e kapitaleve, tregun e sigurimeve, fondet e investimeve, fondet e pensioneve private, si edhe atë të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë.  

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u ndal te rëndësia e bashkëpunimit mes Autoritetit dhe rregullatorëve të vendeve të Bashkimit Evropian. “Me hapjen e negociatave me BE-në, Shqipëria është angazhuar në negocimin e kapitujve, ku Autoriteti udhëheq kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”. Në këtë drejtim, është me rëndësi të veçantë vendosja e urave të bashkëpunimit me rregullatorët evropianë, për të përfituar nga eksperienca dhe asistenca e tyre si në funksion të përafrimit me legjislacionin e BE-së, ashtu edhe sa i përket avancimit drejt praktikave më të mira të mbikëqyrjes. Si një nga vendet e para të BE-së që ndërmori rregullimin e shërbimeve financiare të ofruara përmes teknologjisë së regjistrave të shpërndarë, Malta ka një ekspertizë të thelluar në këtë fushë, e cila mund t’i shërbejë më së miri edhe Shqipërisë.” 

Drejtoresha Ekzekutive e MFSA-së, znj. Buontempo shprehu gadishmërinë për të mbështetur Autoritetin, si edhe vlerësoi se bashkëpunimi mes rregullatorëve është kyç përkundrejt zhvillimeve të vrullshme teknologjike dhe ndërlidhjes së tregjeve financiare. “MFSA do t’u japë të gjithë asistencën e nevojshme kolegëve shqiptarë, në funksion të harmonizimit të rregulloreve me kuadrin ligjor evropian. Gjithashtu, shkëmbimi i informacionit dhe praktikave më të mira do të na shërbejë në arritjen e qëllimit të përbashkët për një mbikëqyrje sa më efektive të tregjeve financiare.”

Gjatë qëndrimit në Maltë, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u takua gjithashtu me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Maltës, z. Edward Scicluna. Në takim u nënvizua nevoja e bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve financiare, me qëllim maksimizimin e objektivave të përbashkëta, në funksion të garantimit të stabilitetit financiar, krijimit të një ambjenti sa më të përshtatshëm për operatorët e tregjeve, si edhe mbrojtjes së konsumatorëve e investitorëve.