16 Dhjetor 2022

AMF, tryeza diskutimi me përfaqësues të tregut mbi kuadrin rregullator të tregjeve të kapitalit

Nga data 5-16 dhjetor 2022, Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Sekretariatin Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) zhvilloi një seri tryezash diskutimi mbi kuadrin rregullator për tregjet e kapitalit.

Në këto takime u diskutua me përfaqësues të subjekteve që operojnë në tregjet e kapitalit si dhe institucioneve me rol kyç në këto tregje në lidhje me projektrregulloret e reja, të hartuara në përputhje me Direktivat e Bashkimit Evropian dhe në zbatim të Ligjit nr. 62/2020 "Për Tregjet e Kapitalit".

Ekpertët e huaj, të cilët kanë asistuar Autoritetin në hartimin e kuadrit të ri ligjor e rregullator për tregjet e kapitalit shkëmbyen mendime me përfaqësues të tregut të kapitalit dhe palët e interesit në lidhje me funksionimin në praktikë të projektrregulloreve. Gjatë takimeve të pranishmit dhanë mendimet e tyre, si edhe shtruan pyetje për çështje të caktuara.    

Disa prej projektrregulloreve të trajtuara në këto takime ishin:
 

  • Projektrregullorja “Për formën dhe përmbajtjen e prospektit që publikohet kur titujt i ofrohen publikut dhe pranohen për tregtim në një treg të rregulluar”;
  • Projektrregullorja “Për kërkesat e transparencës në lidhje me informacionin e shoqërive të listuara”;
  • Projektrregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit të shoqërisë komisionere”;
  • Projektrregullorja “Për ushtrimin e veprimtarisë operacionale të shoqërive komisionere dhe bankave që ofrojnë shërbime investimi”;
  • Projektrregullore “Për kriteret e licencimit dhe funksionimit të operatorëve të tregut dhe bursave që vënë në funksion veprimtarinë e një tregu të rregulluar dhe operatorëve të njohur të tregut”;
  • Projektrregullore “Mbi emërimin dhe kriteret e audituesve ligjorë të shoqërive komisionere”;
  • Projektrregullore “Për kriteret e licencimit dhe funksionimit të Depozitarit Qendror të Titujve”, etj.  
Aktet e reja rregullatore avancojne më tej standardet për mënyrën e ushtrimit të veprimtarisë së subjekteve të tregut të kapitaleve dhe mbikëqyrjen e tyre, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të këtij tregu dhe mbrojtjes së investitorit. Me përfundimin e procesit të hartimit të projektrregulloreve në zbatim të ligjit të ri për tregjet e kapitalit, plotësohet e gjithë baza rregullatore për këto tregje, duke e përafruar me legjislacionin e BE-së, edhe në kuadër të procesit të negociatave për kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, i cili udhëhiqet nga AMF.