21 Dhjetor 2022

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, takim me Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete ishte i pranishëm në pritjen e fundvitit të Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë (SHSSH). Në fjalën e mbajtur, z. Mete u ndal te zhvillimet kryesore të tregut të sigurimeve përgjatë vitit 2022, si edhe parashtroi disa nga prioritetet e Autoritetit për vitin në vazhdim.

Z. Mete u shpreh se tregu i sigurimeve është shfaqur rezistent përballë ndikimeve të ngjarjeve të njëpasnjëshme, siç ishin tërmeti i vitit 2019, pandemia dhe së fundmi luhatjet e tregjeve financiare ndërkombëtare, të shoqëruara me rritjen e inflacionit dhe pasigurisë ekonomike. Viti 2022 solli një përmirësim të mëtejshëm të treguesve kryesorë financiarë, reduktim të numrit të dëmeve pezull, daljen e Byrosë Shqiptare të Sigurimit nga monitorimi thuajse 10-vjeçar i Këshillit të Byrove, uljen e ndjeshme të komisioneve të ndërmjetësimit, zgjidhjen e një mase të konsiderueshme të praktikave të dëmeve përmes Raportit Evropian të Aksidenteve, si edhe përmirësimin e mëtejshëm të situatës me Fondin e Kompensimit.

“Në tërësi, viti 2022, edhe pse një vit sfidues, për shkak të efekteve të faktorëve të jashtëm, të shoqëruar me rritje të inflacionit dhe pasigurive, tregu i sigurimeve u paraqit i qëndrueshëm në terma të treguesve kryesorë të shëndetit financiar. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit dhe totali i aktiveve të tregut të sigurimeve kanë shënuar rritje, ndërsa raporti dëme-prime ka vijuar të përmirësohet,” u shpreh Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF.  

Numri i dëmeve pezull në 9-mujorin e vitit 2022 është ulur me rreth 24.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Komisionet e ndërmjetësimit janë ulur në një mesatare tregu prej 17.5%, nga mbi 27% që ishin përpara hyrjes në fuqi të rregullores së AMF-së në janar 2022. Gjithashtu, nga hyrja në fuqi e ligjit të ri më 1 korrik 2021, 87% e aksidenteve të shkaktuara nga mjetet e pasiguruara ose të paidentifikuara janë trajtuar përmes mekanizmit të siguruesit të drejtpërdrejtë, si një nga risitë e ligjit. Raporti Evropian i Aksidenteve është përdorur në rreth 20% të rasteve për dëmet e raportuara në 9 muajt e parë të vitit 2022.