29 Dhjetor 2022

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, takim me përfaqësues të medias

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Mete, zhvilloi në 28 dhjetor 2022 një takim me gazetarë të shtypit të shkruar dhe mediave elektronike, të profilizuar në pasqyrimin dhe raportimin e lajmeve mbi ekonominë dhe tregjet financiare në Shqipëri.    

Takimi u hap nga fjala përshëndetëse e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, i cili falenderoi përfaqësuesit e medias për profesionalizmin dhe korrektësinë e treguar në pasqyrimin e lajmeve dhe ngjarjeve kryesore ekonomike e financiare përgjatë një periudhe të pazakontë.    

Z. Mete theksoi se në veçanti gjatë viteve të fundit ekonomia dhe tregjet financiare janë përballur me sfida të shumta dhe në raste të tilla përcjellja me objektivitet e realitetit dhe zhvillimeve tek qytetarët merr një rëndësi edhe më të posaçme.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u shpreh se Autoriteti do të vijojë të ketë një komunikim të hapur e transparent me mediat dhe përmes tyre edhe me publikun, në funksion të përcjelljes së mesazheve të duhura.  

Z. Mete nënvizoi se tregjet financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit paraqiten të qëndrueshëm sa i përket treguesve kryesorë të shëndetit financiar, edhe pas një viti sfidues, të shoqëruar me pasiguri e luhatje. Ai vuri në dukje zhvillimet kryesore të viteve të fundit, në aspektin legjislativ e rregullator, që kanë modernizuar tregjet nën mbikëqyrje dhe kanë avancuar më tej përafrimin me kuadrin evropian.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u shpreh se fokusi i Autoritetit për vitin në vazhdim do të jetë monitorimi i kujdesshëm i tregjeve në funksion të garantimit të stabilitetit financiar, avancimi drejt standardeve ndërkombëtare të IAIS në sigurime, modernizimi i sistemeve të raportimit dhe analizave financiare, si edhe avancimi drejt mbikëqyrjes së plotë me bazë risku për të gjitha tregjet.