14 Shkurt 2023

AMF udhëheq Takimet Bilaterale në Bruksel për kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kryesoi delegacionin shqiptar që mori pjesë në datat 13-14 shkurt 2023 në Takimet Bilaterale Shqipëri-BE për kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”. Grupi negociator, nën drejtimin e z. Evin Mete, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së përbëhej nga përfaqësues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Bankës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Takimi u hap nga eksperti i nivelit të lartë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit në KE, Marc Jorna, si edhe nga fjalët përshëndetëse të znj. Majlinda Dhuka, Ministre Shteti dhe Kryenegociatore e Shqipërisë, si edhe drejtuesve të tjerë të drejtorive të Komisionit Evropian, përgjegjës për tregjet financiare.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së u ndal te zhvillimet kryesore të sektorit financiar në Shqipëri, duke theksuar se sektori u paraqit rezistent ndaj efekteve të tërmetit, pandemisë dhe presioneve të fundit inflacioniste. Z. Mete u shpreh se autoritetet ndërmorën një sërë ndryshimesh ligjore e rregullatore pas krizës financiare botërore të vitit 2008, të cilat rezultuan efikase. Gjithashtu, ai përmendi hapat e ndërmarrë nga rregullatorët financiarë në kuadër të përafrimit të mëtejshëm me direktivat evropiane të fushës.

Ekspertët e Komisionit Evropian theksuan se ashtu siç është nënvizuar edhe në Progres Raportet e fundit, Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm sa i përket plotësimit të rekomandimeve dhe përafrimit ligjor e rregullator në kapitullin 9, por mbetet ende punë për t’u bërë. Ata nënvizuan se kapitulli 9 ka rëndësi të posaçme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Gjithashtu ekspertët e KE-së shprehën mbështetje të plotë për Shqipërinë në procesin e reformave dhe të përafrimit të acquis në fushën e shërbimeve financiare.

Anëtarët e grupit negociator përgjatë dy ditëve të Takimeve Bilaterale prezantuan në mënyrë të detajuar nivelin e përafrimit me direktivat evropiane të fushës, si edhe adresuan pyetjet e ngritura nga ekspertët e Komisionit Evropian. Acquis në kapitullin 9 rregullon shërbimet financiare në fushën bankare, atë të sigurimeve, pensioneve vullnetare, shërbimeve të investimeve dhe tregjeve të titujve.

Përgjatë viteve të fundit është realizuar një avancim domethënës ligjor e rregullator sa i përket shërbimeve finaniciare, duke u përafruar me direktivat evropiane të fushës. Në vitin 2020 u miratuan ligjet e reja për tregjet e kapitalit, sipërmarrjet e investimeve kolektive, si edhe për tregjet financiare të bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë. Ndërsa në vitin 2021 u miratua ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Projektligji i ri për fondet e pensioneve private është në pritje të miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë.