3 Mars 2023

AMF zgjeron bashkëpunimin me rregullatorët evropianë, Memorandum Mirëkuptimi me Autoritetin Mbikëqyrës të Luksemburgut (CSSF)

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Komisioni i Mbikëqyrjes së Shërbimeve Financiare të Luksemburgut (CSSF) nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi në kuadër të shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit mes dy rregullatorëve. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, z. Ervin Mete dhe Drejtori Ekzekutiv i CSSF-së, z. Claude Marx.

Marrëveshja përcakton një kuadër të qartë bashkëpunimi mes dy rregullatorëve financiarë, sipas fushave ku ata ushtrojnë funksionet mbikëqyrëse, tregun e kapitaleve, tregun e fondeve të investimeve dhe fondet private të pensioneve. Synimi i Memorandumit të Mirëkuptimit është vendosja e urave të bashkëpunimit mes dy autoriteteve mbikëqyrëse, në funksion të mbrojtjes së interesave të konsumatorëve dhe investitorëve, promovimit të integritetit, stabilitetit dhe eficiencës në tregjet nën mbikëqyrje përmes konsultimit, bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes dy autoriteteve mbikëqyrëse.  

AMF udhëheq negociatat për kapitullin 9 “Shërbimet Financiare” dhe në këtë kuadër, zgjerimi i bashkëpunimit me rregullatorët evropiane, përveç shkëmbimit të informacionit, do t’i shërbejë  për të përfituar nga eksperienca dhe asistenca e tyre në funksion të përafrimit me legjislacionin e BE-së, si edhe avancimit drejt praktikave më të mira mbikëqyrëse.