27 Qershor 2023

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF në aktivitetin “Financing Sustainable Development in Albania” të UNDP

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete, mori pjesë në aktivitetin “Financing Sustainable Development in Albania”, të organizuar nga UNDP (United Nations Development Programme), në kuadër të programit të përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Strategic Policy Options for SDG Financing”.

Në sesionin e dytë të këtij aktiviteti z. Mete theksoi se një ndër objektivat kryesorë të AMF-së është edhe avancimi i agjendës drejt financimeve të gjelbra dhe të qendrueshme. Suksesi i këtij objektivi varet shumë nga përfshirja dhe angazhimi i të gjithë aktorëve së bashku, pasi riorientimi i kapitalit privat drejt investimeve të qendrueshme kërkon një ndryshim të mendësisë në mënyrën se si funksionon sistemi financiar. Përpjekjet e Autoritetit synojnë bashkërendimin dhe koordinimin me të gjithë aktorët, me qëllim vendosjen e rregullave për taksonominë, në linjë me praktikat evropiane, si edhe nxitjen dhe promovimin e emetimit të obligacioneve të gjelbra të pushtetit lokal, apo të korporatave shtetërore, në linjë edhe me Dokumentin Politik “Për Krijimin e një Mjedisi Mundësues për Zhvillimin e Tregjeve të Kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”.

AMF ka ndërmarrë një harmonizim të kuadrit ligjor në tregjet financiare jobankare, për përfshirjen në bazën ligjore dhe rregullatore të kërkesave për financimin e zhvilllimit të qendrueshëm dhe promovimin e nevojës për orientim të kapitalit drejt investimeve të qëndrueshme. Në linjë me direktivat evropiane, aktet e reja kanë diversifikuar shërbimet e investimit, si edhe kanë zgjeruar mundësitë e ndërlidhjes me tregjet ndërkombëtare.