11 Korrik 2023

Publikohet raporti i IAIS mbi vlerësimin e Parimeve Themelore në Sigurime për AMF

Është publikuar në faqen zyrtare të internetit raporti i plotë i vlerësimit të realizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS) për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, në lidhje me përputhshmërinë me Parimet Themelore në Sigurime (ICP).

Gjatë vitit 2022, Autoriteti iu nënshtrua një procesi rigoroz vlerësimi në lidhje me përputhshmërinë e standardeve dhe praktikave të AMF-së me Parimet Themelore në Sigurime (ICP).

Procesi i vlerësimit të përputhshmërisë me ICP-të u krye nga anëtarë të IAIS-it, bazuar në Programin e Vlerësimit të Anëtarit dhe përfshiu aspektin ligjor e rregullator, pavarësinë institucionale, procedurat e licencimit, praktikat mbikëqyrëse dhe ato të vlerësimit të rrezikut, mbikëqyrjen e grupeve të sigurimit, etj. Raporti përfundimtar i vlerësimit u miratua nga Komiteti Ekzekutiv i IAIS në Takimet e Komiteteve dhe Seminari Global i IAIS, në muajin qershor në Siatëll, SHBA. 

Në raportin e përgatitur nga Grupi i Vlerësimit të IAIS-it rezultoi një nivel i lartë i përputhshmërisë me ICP-të, ku nga 24 parime bazë, 10 prej tyre rezultuan plotësisht të përputhura dhe 12 të tjera me një nivel të lartë përputhshmërie. Ky vlerësim përbën një avancim të ndjeshëm kundrejt rezultateve të vlerësimit të bërë në kuadër të Programit të Vlerësimit të Sistemit Financiar (FSAP) në vitin 2014, realizuar nga Banka Botërore dhe FMN.