11 Shtator 2023

AMF nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Autoritetin Austriak të Mbikëqyrjes Financiare (FMA) për fondet e investimeve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka nënshkruar një Memorandum të ri Mirëkuptimi me Autoritetin Austriak të Mbikëqyrjes Financiare (FMA). Marrëveshja u nënshkrua nga Nëndrejtoresha Ekzekutive e Autoritetit, znj. Mimoza Kaçi dhe Drejtori Ekzekutiv i FMA-së, z. Helmut Ettl. 

Marrëveshja e re mes dy autoriteteve parashikon thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e informacionit në lidhje me fondet e investimeve, nisur edhe nga interesi i fondeve austriake të investimit për të ofruar shërbimet e marketimit dhe shpërndarjes së këtyre fondeve për investitorët shqiptarë.  

Dy rregullatorët e tregjeve financiare bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë informacion prej vitesh me qëllim mbikëqyrjen efektive të grupeve të sigurimit që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun shqiptar si pjesë e grupeve ndërkombëtare të sigurimit. Gjithashtu ata kanë zhvilluar edhe inspektime të përbashkëta në grupet austriake të sigurimit, që kanë në pronësi shoqëritë që operojnë prej vitesh në tregun shqiptar.

Ligji i ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” parashikon mundësinë e njohjes së licencave të fondeve të investimit të akorduara në një vend anëtar të BE-së, nëse mes autoriteteve ka një marrëveshje të posaçme bashkëpunimi.