21 Shtator 2023

Kuvendi i Shqipërisë miraton në seancë plenare projektligjin "Për fondet e pensionit privat"

Kuvendi i Shqipërisë, më datë 21 shtator 2023, miratoi në seancë plenare projektligjin “Për fondet e pensionit privat". Ky projektligj përafrohet në masë të gjerë me Direktivën 2016/2341/KE, “Për veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të pensionit profesional” (IORP II).

Projektligji “Për fondet e pensionit privat” është hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe propozohet me qëllim përmirësimin e bazës ligjore, që rregullon tregun e fondeve të pensionit privat me kontribute të përcaktuara, për të krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e këtij tregu dhe nxitjen e kursimeve për pension.

Projektligji “Për fondet e pensionit privat” rregullon:

1. Licencimin dhe veprimtarinë e shoqërive administruese të fondeve të pensionit privat në Republikën e Shqipërisë;

2. Krijimin dhe veprimtarinë e fondeve të pensionit privat me pjesëmarrje të hapur dhe fondeve të pensionit privat me pjesëmarrje të mbyllur, me kontribute të përcaktuara në Republikën e Shqipërisë;

3. Licencimin dhe veprimtarinë e depozitarit të aseteve të fondit të pensionit privat;

4. Mbikëqyrjen e shoqërisë administruese, fondeve të pensionit privat, depozitarit të aseteve të fondit të pensionit privat dhe të subjekteve të tjerë, sipas këtij ligji;

5. Veprimtarinë ndërkufitare të shoqërive administruese që ofrojnë fonde të pensionit privat me pjesëmarrje të mbyllur.