2 Tetor 2023

Shqipëria përzgjidhet vendi organizator i Konferencës Vjetore dhe Mbledhjeve të Komiteteve të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS) në vitin 2025

Shqipëria do të mikpresë në vitin 2025 për herë të parë mbi 158 autoritete mbikëqyrëse dhe rregullatore të tregut të sigurimeve nga e gjithë bota, të cilat aderojnë në Organizatën Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS). Aktiviteti, më i rëndësishmi për organizatën që përfaqëson mbikëqyrësit ndërkombëtarë, do të organizohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës të vendit pritës.

Kjo është konfirmuar në letrën e dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm i IAIS, z. Jonathan Dixon, për Drejtoreshën e Përgjithshme Ekzekutive në Detyrë të AMF-së, znj. Mimoza Kaçi, ku ai informon se Komiteti Ekzekutiv i IAIS ka miratuar kandidaturën e Shqipërisë për organizimin e Konferencës Vjetore, Mbledhjet e Përgjithshme Vjetore, si edhe Mbledhjet e Komiteteve. “Në emër të Organizatës, dua t’ju falënderoj për mbështetjen Tuaj dhe për lidershipin e treguar,” theksohet në letrën e dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm i IAIS, z. Jonathan Dixon.

Në vazhdim, një punë intensive e përbashkët e strukturave të IAIS dhe Autoritetit pritet të përcaktojë dhe detajet e këtij organizimi, i cili gjithashtu do të promovojë më tej Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Për herë të parë, eventi më i rëndësishëm në nivel global i tregut të sigurimeve, i cili mbledh bashkë institucionet mbikëqyrëse dhe rregullatore, si dhe aktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të këtij tregu, organizohet në Shqipëri.