18 Tetor 2023

Fjala e Drejtoreshës Ekzekutive në Detyrë të AMF, Zj. Mimoza Kaçi në konferencën ndërkombëtare “Zhvillimi i Sektorit të Sigurimeve – Mundësitë dhe Sfidat në Evropën Juglindore”

I nderuar, z. Ministër i Financave dhe Ekonomisë,
Të nderuar përfaqësues të Bankës Botërore,
Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë që në emër të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare t’ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë të organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe me mbështjetjen e partnerëve tanë strategjikë, Sekretariatit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Banka Botërore.

Kjo konferencë zhvillohet dy ditë pas Samitit të Procesit të Berlinit, të zhvilluar në Tiranë, i cili kishte ndër të tjera si kryefjalë të tij bashkëpunimin dhe integrimin rajonal mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe tregjet tona financiare jobankare. Kryetarja e Komisionit theksoi synimin e unionit për Ballkanin Perëndimor, për të na dhënë një qasje në tregun e përbashkët evropian.

Në këtë klimë optimiste për Ballkanin Perëndimor, edhe ky event sot, bën bashkë të gjithë aktorët me rol kyç në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të sigurimeve - në Shqipëri, por dhe më gjerë në rajon.

Dita e sotme paraqet një mundësi të shkëlqyer për të gjithë ne, për të diskutuar dhe reflektuar mbi zhvillimet aktuale, por mbi të gjitha për adresimin e sfidave të përbashkëta me objektiv kryesor: rritjen e potencialit sektorit të sigurimeve në ekonomitë tona. Pikëpamjet e rregullatorëve të rajonit, të BE-së, me të cilët do të ndajmë eksperiencat, do të na vlejnë për të vendosur prioritete konkrete drejt objektivave tona.

Tregu shqiptar i sigurimeve, në vazhdimësi ka shfaqur tendenca në rritje, në terma të të ardhurave, numrit të kontratatave, aseteve në menaxhim, dhe dëmeve të paguara. Dua të nënvizoj një tregues, primin bruto për frymë, i cili në një periudhë 8 vjeçare është rritur me mbi 80%, shifër që flet për rritjen e tregut dhe ndërgjegjesimin e popullsisë. E megjithatë, tregu i sigurimeve ende mbizotërohet nga produktet e sigurimit të detyrueshëm.

Dhe meqë jemi te sigurimet e detyrueshme, zbatimi i ligjit të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit ka sjellë një sërë zhvillimesh pozitive në këtë treg, duke reduktuar ndjeshëm  komisionet e ndërmjetësimit, ka përmirësuar situatën e dëmeve te Byroja Shqiptare e Sigurimeve dhe në fund të vitit 2022, numri i dëmeve të paguara ka arritur nivelin më të lartë historik.
Tregu i sigurimeve ka treguar qëndrueshmëri ndaj ngjarjeve madhore, duke nisur me dy tërmetet e viit 2019, pandemia COVID-19, por edhe ndaj efekteve të mjedisit makroekonomik botëror.

Autoriteti, në rolin e tij si mbikëqyrës dhe rregullator i këtij tregu, ka monitoruar dhe është kujdesur për një mbikëqyrje efektive, në mbrojtje të interesave të konsumatorëve dhe ruajtjes së treguesve financiarë.

Dëshiroj të veçoj punën që është bërë në drejtim të përafrimit ligjor e rregullator me direktivat dhe acquis të BE. Autoriteti ka udhëhequr grupin negociator për Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, pjesë e të cilit është dhe sektori i sigurimeve. Progresi i bërë dhe angazhimet e marra për zbatimin e rekomandimeve janë vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian.

Autoriteti po vijon me procesin e përafrimit të akteve ligjore, përfshirë edhe kalimin në regjimin mbikëqyrës në sigurime, Solvency II, si një nga prioritetet strategjike të tij.

Arritje për Autoritetin shënoi vlerësimi gjithëpërfshirës i bërë nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS), nga ku rezultoi një nivel i lartë përputhshmërie me Parimet Themelore në Sigurime, ICP.

Ky është një sinjal pozitiv në mbështjetje të zhvillimit dhe krijon premisa për rritjen e pranisë së investitorëve ndërkombëtarë, por edhe zgjerimin e aktivitetit të aktorëve aktualë të tregut.

Aderimi në Memorandumin Shumëpalësh të Bashkëpunimit me IAIS në vitin 2022, ka mundësuar forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me 83 autoritete rregullatore, nënshkruese të tij.

Dhe në vijim të këtyre vlerësimeve, kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin e mirë, që në vitin 2025 Shqipëria do të jetë vendi pritës i Konferencës Vjetore të IAIS, aktiviteti më i rëndësishëm vjetor i sektorit të sigurimeve në nivel global. Kjo është hera e parë që ky aktivitet zhvillohet në Shqipëri dhe në rajon. Ky është tregues i qartë, për kapacitetet institucionale, besueshmërinë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të AMF-së me IAIS dhe rregullatorët ndërkombëtarë.

Gjatë konferencës sot, do të kemi mundësinë të ndjekim profesionistët e fushës që do të thellohen në disa tema aktuale, si roli i sigurimeve në menaxhimin e katastrofave natyrore, zgjerimi i mbulimit në sektorin e bujqësisë, sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të sigurimeve në Shqipëri dhe rajon.

Dëshiroj të falenderoj në mënyrë të veçantë, SECO-n dhe Bankën Botërore,  për kontributin e tyre në organizimin e kësaj konference, për mbështetjen ndër vite dhe në vijimësi.

Të nderuar pjesëmarrës në përfundim të fjalës time, kam kënaqësinë të ftoj për ta përshëndetur këtë konferencë ideuesin e saj, me të cilin e nisëm bashkë këtë angazhim kaq të rëndësishëm, që kam privilegjin ta finalizoj sot. Personi i cili me profesionalizëm të lartë drejtoi Autoritetin, duke e ngritur lart reputacionin e tij dhe me të cilin pata privilegjin të bashkëpunoja. E falenderoj publikisht!

I kaloj fjalën z. Ervin Mete, Ministër i Financave dhe Ekonomisë.

Ju Falenderoj për pjesëmarrjen dhe uroj punime të mbara!