1 Shkurt 2024

Misioni i Bankës Botërore takohet me drejtues të Autoritetit

Në datë 1 shkurt 2024 në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare u zhvillua takimi me ekspertë të nivelit të lartë të sektorit financiar të Bankës Botërore.

Drejtore Ekzekutive në detyrë Zj. Mimoza Kaçi, prezantoi përmbledhjen mbi ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrje të Autoritetit, si dhe mbi zhvillimet e fundit të kuadrit ligjor dhe rregullator. Zj. Kaçi nënvizoi angazhimin e Autoritetit në drejtim të përafrimit me Direktivën Evropiane të regjimit mbikëqyrës Solvency II. Në takim u diskutua edhe mbi rëndësinë e hartimit të një kuadri rregullator të përgjithshëm për orientimin e kapitalit drejt investimeve të qëndrueshme dhe të gjelbëra, si dhe vendosjen e rregullave për taksonominë.

Ekipi i Bankës Botërore duke vlerësuar potencialin që ka vendi për sigurimet në bujqësi, menaxhimin e rreziqeve klimatike dhe zhvillimin e financave të gjelbëra, diskutoi në lidhje me hapat që duhet të ndërmerren më tej, duke evidentuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në këto drejtime. Autoriteti shprehu gatishmërinë për të kontribuar në këto fusha dhe për forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm me Bankën Botërore.