16 Shkurt 2024

Drejtorja Ekzekutive në detyrë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, zhvillon një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Kosovës

Drejtorja Ekzekutive në detyrë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Zj. Mimoza Kaçi zhvilloi një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Kosovës, me ftesë të Guvernatorit, Z. Ahmet Ismaili.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Z. Ismaili ka mirëpritur Zj. Kaçi, të cilën e informoi lidhur me zhvillimet kryesore në sistemin financiar dhe avancimin e kornizës ligjore dhe rregullatore në fushën e sigurimeve. Shkëmbimi i përvojave në tregjet financiare nën mbikëqyrje ishin tema kryesore të takimit mes Autoritetit dhe Bankës Qendrore të Kosovës, duke përfshirë qasjen ndaj reformave që lidhen me IFRS 17, regjimin mbikëqyrës Solvency II në sektorin e sigurimeve, edukimin financiar, parimet e ESG, si dhe aspekte të tjera të bashkëpunimit dhe ngritjes së kapaciteteve ndërinstitucionale.

Drejtorja Ekzekutive e AMF-së informoi Guvernatorin Ismaili për zhvillimet kryesore në tregun financiar jo bankar në Shqipëri, përfshirë kornizën ligjore, dhe shprehu gatishmërinë e Autoritetit për të ndarë përvojat dhe për të kontribuar në çështjet me interes për BQK-në. Zj. Kaçi dhe delegacioni i përbërë nga drejtues të Autoritetit, diskutuan gjithashtu me drejtues të lartë të BQK mbi temat me interes të përbashkët, për të dy institucionet.

Në këto takime u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, duke u dakordësuar për forcimin e tij, në funksion të rregullimit dhe mbikëqyrjes efektive të tregjeve.
    Image 1
    Image 1