20 Korrik 2007

Organizohet seminari mbi Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit dhe Raportimit Financiar në fushën e sigurimeve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Shoqatën Austriake të Siguruesve dhe kompaninë audituese KPMG, organizoi në datat 16,17 e18 korrik 2007, seminarin me temë “Njohja dhe adaptimi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit dhe Raportimit Financiar në fushën e sigurimeve”.

 

Në këtë seminar  morrën  pjesë përfaqësues nga çdo shoqëri e sigurimeve në Shqipëri dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

 

Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 9228, datë 01.01.2008  “ Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare” të gjitha njësitë ekonomike që operojnë në Shqipëri, përfshirë këtu edhe shoqëritë e sigurimit,  kanë detyrim ligjor që të përgatisin pasqyrat financiare dhe të raportojnë sipas këtyre Standardeve në fund të vitit 2008.

 

Lektorët: Z. Thomas Smrekar,KPMG Austria, Zj. T.Koleva, KPMG Albania, Z. F.Beqja, KPMG Albania dhe Zj. H.Jani, KPMG Albania, trajtuan çështjet:        

 

§      Njohja me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit, ku vëmendja kryesore u   përqëndrua tek politikat kontabël (IAS 8), mënyra e hartimit të pasqyrave financiare (IAS 1), tatim mbi fitimin (IAS 12), të ardhurat (IAS 18), efektet e ndryshimit të kurseve të këmbimit në këto pasqyra  (IAS 21), rëndësia e dhënies së informacionit me palët e lidhura (IAS 24), forma ligjore e filialeve, e shoqërive me kapital të përbashkët (IAS 27,28,31), investimet në aktive të qëndrueshme të trupëzuara (IAS 16 & 40), si edhe klasifikimi, matja, rënia në vlerë e instrumentave financiare (IAS 39).

 

§      Njohja me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, rëndësia  dhe mënyra e adaptimit  për herë të parë e këtyre standardeve në paqyrat financiare të shoqërive të sigurimit (IFRS 1), interpretimi I kontratave të sigurimit I trajtuar sipas (IFRS 4.)

 

Seminari gjeti interes dhe u vlerësua nga drejtuesit e shoqërive të sigurimit. Për këtë arsye ai do të pasohet edhe nga aktivitete të tjera në kuadrin e IFRS-ve. Në fund të seminarit pjesëmarrësve iu shpërndanë çertifikata.