Bashkëpunimi Ndërkombëtar
Zhvillimi i tregjeve financiare ndërkombëtare me ritme të shpejta, unifikimi i standardeve rregulluese dhe mbikëqyrëse, si dhe angazhimi i rregullatorëve të vendeve përkatëse për zbatimin e tyre bën të nevojshëm bashkëpunimin me institucionet homologe, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave, si dhe pjesëmarrja në organizatat ndërkombëtare si një detyrë parësore për tërheqjen e ekspertizës së huaj. Bashkëpunimi ndërkombëtar bëhet më intensiv për shkak të nevojës së futjes në zbatim të Direktivave të BE-së dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.
Tre janë drejtimet kryesore ku fokusohet bashkëpunimi i AMF-së me institucionet ndërkombëtare:
- Anëtarësimi në Organizatat Ndërkombëtare;
- Bashkëpunimi me Institucione Homologe;
- Bashkëpunimi me Partnerët (Donatorët).
Anëtarësimi në Organizatat Ndërkombëtare
AMF është anëtar me të drejta të plota në organizatat ndërkombëtare të rregullatorëve të tregut të sigurimeve, titujve dhe fondeve të pensioneve private. Pjesëmarrja aktive në këto organizata ka për synim rritjen e bashkëpunimit në funksion të rregullimit sa më efektiv të këtyre tregjeve në nivel ndërkombëtar. Ky bashkëpunim, ka konsistuar në shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencave, bashkërendimin e përpjekjeve për përcaktimin e standardeve të rregullimit e mbikëqyrjes si dhe sigurimin e një asistence të përbashkët për ruajtjen e integritetit të tregjeve financiare jobankare.
Anëtarësime në Organizata Ndërkombëtare të Rregullatorëve | Viti | Institucioni |
---|---|---|
IOSCO (Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Titujve) | 1998 | KLV (sot AMF) |
IAIS (Shoqata Ndërkombëtare e Rregullatorëve të Sigurimeve | 2001 | AMS (sot AMF) |
IOPS (Organizata Ndërkombëtare e Rregullatorëve të Pensioneve) | 2006 | AMF |
Anëtarësia në Shoqatën Ndërkombëtare të Rregullatorëve të Sigurimeve (IAIS)
AMF është anëtar me të drejta të plota i IAIS që nga viti 2001. Gjithashtu, një përfaqësues nga Autoriteti është anëtar i Komitetit të Implementimit të IAIS. E krijuar në vitin 1994, IAIS përfaqëson interesat e rregullatorëve të sigurimeve në mbi 130 vende të botës, si dhe përbën konsulentin kryesor për rreth 97% të primeve të grumbulluara në shkallë botërore. IAIS ka 100 vëzhgues.
Anëtarësia në Organizatën Ndërkombëtare të Komisioneve të Titujve (IOSCO)
AMF është anëtar i IOSCO që nga viti 1998 si dhe pjesë aktive e strukturave të ndryshme të kësaj organizate. Konkretisht, AMF është anëtar i Komitetit të Tregjeve në Zhvillim, si dhe është i përfshirë në Komitetin Rajonal Evropian.
Anëtarësia në Organizatën Ndërkombëtare të Rregullatorëve të Pensioneve (IOPS)
AMF u anëtarësua me të drejta të plota në IOPS në dhjetor të vitit 2006. IOPS është një organizatë ndërkombëtare e krijuar në vitin 2004, e cila përfaqëson interesat e enteve rregullatore të fushës së pensioneve private.
Bashkëpunimi me Institucione Homologe
AMF ruan marrëdhënie të mira dypalëshe me institucione të ngjashme që rregullojnë dhe mbikëqyrin tregjet financiare jobankare në vendet respektive. Këto përpjekje janë materializuar me nënshkrimin e Marrëveshjeve të Mirëkuptimit me shumë institucione rregullatore homologe. Përfitimi kryesor i nënshkrimit dhe zbatimit të këtyre marrëveshjeve, është vendosja e marrëdhënieve dypalëshe për lehtësimin e shkëmbimit të informacionit konfidencial si një mjet kryesor për një funksionim të lehtë, të shpejtë dhe eficient të praktikave më të mira ndërkombëtare të rregullimit të tregjeve financiare.
Marrëveshje të Nënshkruara me Institucione Homologe Jashtë Vendit | Viti | Institucioni |
---|---|---|
Komisioni i Tregut të Kapitaleve të Greqisë | 1999 | KLV (sot AMF) |
Komisioni i Letrave me Vlerë të Quebecut (Autoriteti i Tregjeve Financiare të Quebec) | 2000 | KLV (sot AMF) |
Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Bursave i Italisë | 2002 | KLV (sot AMF) |
Agjencia e Tregut të Letrave me Vlerë të Sllovenisë | 2003 | KLV (sot AMF) |
Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Bursave i Polonisë (sot Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Polonisë) | 2003 | KLV (sot AMF) |
Bordi i Tregut të Kapitaleve i Turqisë | 2003 | KLV (sot AMF) |
Autoriteti Bankar dhe Pagesave i Kosovës (sot Banka Qendrore e Republikës së Kosovës) | 2004 | AMS (sot AMF) |
Komisioni i Mbikëqyrjes së Tregut Financiar i Bullgarisë | 2005 | KLV (sot AMF) |
Komisioni Kombëtar i Letrave me Vlerë i Rumanisë | 2005 | KLV (sot AMF) |
Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Bursës së Maqedonisë | 2005 | KLV (sot AMF) |
Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Bursës së Malit të Zi | 2005 | KLV (sot AMF) |
Komisioni i Letrave me Vlerë i Kroacisë (sot Agjencia e Mbikëqyrjes së Shërbimeve Financiare të Kroacisë) | 2005 | KLV (sot AMF) |
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) | 2008 | AMF |
Ministria Austriake e Financave & Autoriteti i Tregjeve Financiare të Austrisë | 2009 | AMF |
Marrëveshja Multilaterale e Mirëkuptimit me IOSCO-n | 2009 | AMF |
Agjensia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Maqedonisë, ISA | 2010 | AMF |
Agjencioni për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional të Maqedonisë, (MAPAS) | 2012 | AMF |
Autoriteti Evropian i Tregjeve dhe Letrave me Vlerë (ESMA) | 2013 | AMF |
Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (Slloveni) | 2016 | AMF |
Marreveshje Konfidencialiteti ndërmjet Autoritetit Zviceran të Mbikëqyrjes së Tregut Financiar (FINMA) dhe AMF-së në lidhje me Kolegjin e Mbikëqyrësve të Grupit UNIQA | 2016 | AMF |
Instituti Italian për Mbikëqyrjen e Sigurimeve (IVASS) | 2018 | AMF |
Korpusi Vullnetar i Shërbimeve Financiare (FSVC) | 2018 | AMF |
Autoriteti i Sjelljes Financiare (FCA, Britani) | 2019 | AMF |
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) | 2020 | AMF |
Agjencia Kroate e Mbikëqyrjes së Shërbimeve Financiare (HANFA) | 2021 | AMF |
Autoriteti i Shërbimeve Financiare të Maltës (MFSA) | 2022 | AMF |
Komisioni i Mbikëqyrjes së Shërbimeve Financiare të Luksemburgut (CSSF) | 2023 | AMF |
Bashkëpunimi me Partnerët (Donatorët)
Bashkëpunimi me Bankën Botërore (BB)– si partneri kryesor dhe më i rëndësishëm, BB ka:
- ndihmuar dhe mbështetur të gjithë procesin e unifikimit të rregullatorëve dhe ngritjen institucionale të AMF-së;
- siguruar një mbështetje reale për organizimin e një sistemi trajnimesh nga ekspertë ndërkombëtarë, me qëllim rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe kualifikimin e mëtejshëm si të stafit të AMF-së, ashtu edhe të operatorëve të tregut financiar jobankar.
Bashkëpunimi me FSVC (Financial Services Volunteer Corps) – ka qenë efikas në drejtim të:
- hartimit të politikave menaxhuese të burimeve njerëzore,
- të trajnimit të specialistëve në fushën e aktuaristikës.
Bashkëpunimi me Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) – është fokusuar në drejtim të:
- hartimit të kuadrit të nevojshëm ligjor për emetimin e obligacioneve të shoqërive aksionere;
- hartimit të kuadrit të nevojshëm ligjor për emetimin e obligacioneve bashkiake.
Bashkëpunimi me Sekretariatin e Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) – si partneri që mbështet financiarisht forcimin e kapaciteteve administrative të AMF-së.