Funksionet Kryesore

Me qëllim plotësimin e objektivave të përcaktuara në ligj, AMF ushtron dy funksionet parësore të tij:

  • Funksionin Rregullativ;
  • Funksionin Mbikëqyrës.

Aktiviteti rregullator përfshin përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ, në funksion të krijimit të një tregu të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së konsumatorëve. Kjo nënkupton përgatitjen e politikave të caktuara në drejtim të amendimit të legjislacionit në fuqi si dhe hartimin e rregulloreve e udhëzimeve që kanë të bëjnë me zbatimin në praktikë të detyrimeve ligjore nga subjektet e mbikëqyrura.

Aktiviteti mbikëqyrës zbatohet përmes mbikëqyrjes off site dhe kontrolleve on site të aktivitetit të pjesëmarrësve të licencuar të tregut. Ky aktivitet synon ruajtjen e stabilitetit të tregut nëpërmjet parandalimit dhe ndërprerjes së shkeljeve ligjore me qëllim sigurimin e mbrojtjes së interesave të investitorëve dhe personave të siguruar.

4 janë aspektet kryesore të aktivitetit të AMF-së në ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave të dhëna me ligj. Këto aspekte rregullojnë marrëdhëniet dhe detyrimet e entit rregullator me tregjet dhe subjektet e mbikëqyrura:

Funksionet

  • Licencimi - Të gjithë personat fizikë apo juridikë, të cilët kërkojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin financiar jobankar në Republikën e Shqipërisë duhet të kalojnë nëpërmjet një procesi vlerësimi, aprovimi dhe licencimi nga ana e AMF-së. Me këtë ne synojmë lejimin e hyrjes në treg vetëm të atyre subjekteve të cilat përmbushin të gjithë kriteret e nevojshme për të ushtruar aktivitetin e tyre financiar në tregje të rregulluar. Këtë e bëjmë mbi bazën e parimit të drejtësisë, ndershmërisë dhe barazisë.   
  • Rregullimi dhe Standardet - Një kuadër ligjor i plotë dhe i harmonizuar për tregun financiar jobankar, standarde të përcaktuara qartë, si dhe një rregullator me kompetenca dhe pavarësi institucionale janë të rëndësishme për suksesin e një enti rregullator eficient. Ne kemi ndërmarrë hapa konkretë dhe të vazhdueshëm në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor e rregullativ me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe krijimin e mundësive për një funksionim sa më normal të tregut. Gjithashtu, vendosja e standardeve në treg nëpërmjet përafrimit dhe harmonizimit të legjislacionit kombëtar bazuar në standardet ndërkombëtare dhe Direktivat e Bashkimit Evropian janë prioritet për ne.
  • Mbikëqyrja - Ne ushtrojmë funksionin tonë mbikëqyrës të tregjeve financiare jobankare përmes monitorimit të tregjeve dhe subjekteve që operojnë në këto tregje me qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve. Prioritet është kalimi nga modeli i mbikëqyrjes tradicionale në atë me bazë risku, bazuar në praktikën e vendeve evropiane. Përqasja e re e këtij modeli fokusohet në identifikimin, matjen, parandalimin dhe eliminimin e shkallës së rreziqeve që kërcënojnë performancën e tregut si dhe mbështetet nga një sistem i ri elektronik i raportimit, që do të garantojë komunikim të shpejtë dhe të besueshëm, rritje të kapacitetit të analizës, përmirësim të sistemit të paralajmërimit dhe përfundimisht, rritje të cilësisë dhe efikasitetit të të gjithë veprimtarisë mbikëqyrëse të institucionit.
  • Zbatueshmëria - Bazuar në ligjet në fuqi, Autoriteti ka kompetencë për monitorimin dhe marrjen e masave të zbatueshmërisë kundrejt subjekteve që shkelin kuadrin ligjor dhe rregullativ duke cënuar interesat e konsumatorëve. Në këtë kontekst, kemi një bashkëpunim të ngushtë me institucionet homologe, si dhe me organet kompetente vendase apo të huaja.