Fjalori i termave

    Abuzimi i tregut është përfshirja në manipulimin e tregut apo tregtimin bazuar në informacion të privilegjuar ose një tentativë për t’u përfshirë në këto veprime.
    Administrator është personi fizik me përgjegjësi drejtuese dhe administruese në shoqëri, i cili është drejtori ekzekutiv ose punon nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të drejtorit ekzekutiv.
    Administrim portofoli është procesi i përzgjedhjes dhe monitorimit të një sërë instrumentesh financiare, të cilat së bashku përbëjnë portofolin e klientit, si dhe procesi i menaxhimit të këtij portofoli në linjë me objektivat financiare afatgjata dhe tolerancën e rrezikut të investitorit.
    Administrim rreziku është tërësia e metodave dhe e rregullave që përdoren nga personi juridik për identifikimin, monitorimin dhe administrimin/zbutjen e rreziqeve me qëllim shmangien e humbjeve financiare.
    Aftësim financiar përfshin një kombinim të njohurive, aftësive, qëndrimit dhe sjelljes të cilat janë të nevojshme për të marrë vendime financiare të shëndosha.
    Agjenci e vlerësimit të rrezikut të kreditit është personi juridik i licencuar ose i njohur si i tillë, aktiviteti i të cilit përfshin dhënien e vlerësimeve të rrezikut të kreditit në baza profesionale.
    Agjent në sigurime është personi fizik apo juridik i licencuar nga Autoriteti, që kryen një veprimtari ndërmjetësimi në sigurime. Agjentët veprojnë në emër dhe për llogari të shoqërisë së sigurimit.
    Agjent i fondit të pensionit është një person i licencuar nga Autoriteti, i cili nuk është punonjës i shoqërisë administruese dhe, në bazë të tagrave të dhëna nga shoqëria administruese, bën marketing, lidh kontrata të fondit të pensionit, në emër të shoqërisë administruese të licencuar.
    Agjent i lidhur është personi i pavarur fizik ose juridik, i cili, për vetëm një shoqëri komisionere në emër të së cilës vepron, promovon shërbime investimesh dhe/ose shërbime ndihmëse tek klientë ekzistues ose klientë të mundshëm.
    Aksione janë tituj që konfirmojnë pronësinë mbi asetet e një shoqërie aksionere.
    Aktiv (Aset) është një burim nën kontrollin e një njësie ekonomike si rezultat i ngjarjeve në të shkuarën dhe nga i cili priten të hyjnë në njësinë ekonomike përfitime të ardhshme ekonomike.
    Akt-ofertë është dokumenti në formë ftese, me të cilin një grupi të kufizuar ose të përcaktuar investitorësh i ofrohet të investojnë në titujt që emetuesi i ofron për investitorë të mundshëm.
    Aktuar është personi i licencuar nga Autoriteti, i cili, ndër të tjera, ka si detyrë kryesore llogaritjen e tarifave të primeve, tabelave të probabilitetit, provigjoneve dhe dividendëve, duke u mbështetur në teori shkencore që lidhen me investimet, statistikën, matematikën, financën dhe demografinë.
    Anëtar i fondit të pensionit është personi fizik, në emër dhe në përfitim të të cilit është hapur një llogari pensioni në fondin e pensionit dhe që ka të drejtën e përfitimit në të ardhmen në bazë të kontratës së tij të fondit të pensionit me shoqërinë administruese, në masën e zotërimit të kuotave.
    Ankesë është kundërshtimi sipas formës së përcaktuar nga konsumatori ose investitori, i cili pretendon se nga ana e shoqërive që operojnë në tregun nën mbikëqyrjen e Autoritetit nuk janë përmbushur kërkesat ligjore apo kushtet e kontratës.
    Anuiteti është kontratë sigurimi, nga e cila përfitohen të ardhura për një periudhë kohe, e përcaktuar në numër vitesh ose për gjithë jetën.
    Auditim ligjor është një auditim i pavarur i pasqyrave financiare vjetore, individuale dhe/ose të konsoliduara.
    Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është institucion publik, i pavarur nga ekzekutivi, përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregut të sigurimeve dhe operatorëve të tij; e tregut të titujve dhe operatorëve të tij; e tregut të pensioneve private vullnetare dhe operatorëve të tij; e veprimtarive të tjera financiare jobankare.
    Bankassurance është shitja e produkteve dhe shërbimeve të shoqërive të sigurimit nga ana e institucioneve bankare.
    Bashkësigurim është shërbimi i ofruar nga disa sigurues me anë të një kontrate të vetme për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga rreziqet e specifikuara në këtë kontratë për një prim të përgjithshëm ose që ofron përfitime, sipas kushteve të kontratës, në masën e paracaktuar.
    Blockchain janë grupe të lidhura të dhënash, të ruajtura në rrjetin e pajisjeve kompjuterike në të gjithë botën, të cilat janë publike, por të pandryshueshme.
    Bono thesari është titull shtetëror, me afat maturimi deri në një vit, i cili tregtohet me zbritje dhe emetohet dhe garantohet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë.
    Bonus Malus është formë e veçantë tarifimi e kontratave të Sigurimit MTPL, e cila parashikon ulje (bonuse) ose rritje (malus) të primit në çdo skadim vjetor, përkatësisht, nëse ka apo jo kërkesa për dëmshpërblim.
    Broker në tituj është i punësuari pranë shoqërisë komisionere, i cili transmeton apo ekzekuton urdhëra për llogari të klientëve.
    Broker në sigurime është personi fizik i licencuar nga AMF për të ushtruar veprimtarinë e brokerimit (ndërmjetësimit) në sigurime.
    Bursë është tregu i rregulluar, në të cilin blihen ose shiten instrumente financiare.
    Bursë DLT është bursë e centralizuar ose e decentralizuar DLT, në të cilën mund të listohen e tregtohen tokenë digjitalë të shërbimeve, tokenë digjitalë të pagesave dhe tokenë digjitalë të aseteve dhe mund të kryhen edhe këmbime ndërmjet parasë FIAT dhe/ose monedhave virtuale kundrejt tokenëve digjitalë të shërbimeve, tokenëve digjitalë të pagesave, tokenëve digjitalë të aseteve e anasjelltas.
    Bursë e centralizuar DLT është bursa që përdor teknologjinë DLT, ku çelësi privat për aksesimin e tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale, që tregtohen në këtë bursë, mbahet nga vetë bursa DLT.
    Bursë e decentralizuar DLT është bursa që përdor teknologjinë DLT, ku çelësi privat për të aksesuar tokenin/ët digjitalë dhe/ose monedhat virtuale, të cilat janë subjekt i transaksioneve në këtë bursë, mbahet nga vetë përdoruesit e bursës.
    Çmim blerje (Bid): Është çmimi më i lartë që do të paguante blerësi për një titull të caktuar.
    Çmim shitje (Ask): Çmimi më i ulët, me të cilin shitësi është i gatshëm të shesë titullin.
    Çmimi më i mirë për transaksionet e kryera në Tituj është çmimi më i lartë në anën e blerjes dhe çmimi më i ulët në anën e shitjes së tregtimeve (urdhrave) të paraqitura nga pjesëmarrësit e tregut që janë pjesë e këtyre transaksioneve.
    Depozitar është banka apo shoqëria komisionere e licencuar nga autoriteti rregullator, për të ofruar shërbime depozitimi për asetet e fondit të pensionit si dhe të kryejë si veprimtari ruajtjen e pasurisë së sipërmarrjes së investimeve kolektive me ofertë publike.
    Depozitari Qendror i Titujve është personi juridik i licencuar nga Autoriteti me qëllim ngritjen dhe operimin e një sistemi për regjistrimin qendror të instrumenteve financiare, i cili lejon ose mundëson shlyerjen e transaksioneve të instrumenteve financiare ose tregtimin e instrumenteve financiare pa pasur nevojë për shkëmbimin e certifikatave.
    Dëm është ndodhja e ngjarjes për të cilën pritet shërbimi i shoqërisë së sigurimit, për të garantuar rrezikun e siguruar.
    Dëm pasuror është dëmi i pësuar si rezultat i dëmtimit apo i humbjes së pasurisë.
    Dëm jopasuror është dëmi biologjik, moral dhe ekzistencial, që vjen si rezultat i vdekjes, dëmtimeve trupore dhe përkeqësimeve të shëndetit, që pësojnë pala e dëmtuar ose të afërmit e saj.
    Dëmshpërblim i sigurimit është çdo shumë, për të cilën siguruesi i detyrohet të siguruarit, përfituesit ose ndonjë pale tjetër të dëmtuar, e cila rrjedh si e drejtë nga një kontratë sigurimi apo veprimtari sigurimi.
    DLT ose Teknologjia e regjistrit të shpërndarë është bazë e decentralizuar e të dhënave, në të cilën informacioni dhe/ose të dhënat regjistrohen në mënyrë të sigurt, verifikohen në mënyrë konsensuale dhe shpërndahen në mënyrë të sinkronizuar nëpërmjet një rrjeti të shumëfishtë nyjesh ose mjeteve të tjera teknike.
    FinTech (Teknologjia financiare) përdoret për të përshkruar teknologjinë e re që kërkon të përmirësojë dhe automatizojë shpërndarjen dhe përdorimin e shërbimeve financiare.
    Fondi i investimeve ёshtё sipërmarrje e investimeve kolektive e themeluar me kontratë si grupim i veçantë aktivesh, me objekt të vetëm sigurimin e kapitalit nga investitorët dhe investimin e këtij kapitali në lloje të ndryshme investimesh, me qëllim realizimin e përfitimeve për mbajtësit e kuotave të fondit të investimeve.
    Fondi i investimeve alternative (FIA) ёshtё sipërmarrja e investimeve kolektive, përfshirë edhe nënndarjet ose nënfondet e investimit të saj, e cila siguron kapital nga një numër investitorësh, me qëllim investimin e tij në përputhje me një politikë të përcaktuar investimi për realizimin e përfitimeve për investitorët dhe që nuk licencohet si sipërmarrje e investimeve kolektive në tituj të transferueshëm.
    Fond pensioni vullnetar është një grup asetesh, i krijuar në bazë kontrate dhe pa personalitet juridik, i përbërë nga kontributet dhe investimi i tyre, pasi janë zbritur të gjitha tarifat. Fondi i pensionit zotërohet bashkërisht nga disa persona, në pronësi të ndarë dhe ku pjesët e pronësisë përfaqësohen nga kuota në fondin e pensionit.
    Fond pensioni profesional është fondi i pensionit, për të cilin punëdhënësi ka kontraktuar me shoqërinë administruese, për t’u ofruar punonjësve të vet një plan pensioni profesional.
    Fondi i tregtuar në bursë (ETF) është fondi i investimeve që ndjek një indeks nga i cili të paktën një njësi ose një klasë e aksioneve tregtohet gjatë gjithë ditës në të paktën një vend tregtimi dhe me të paktën një krijues tregu, i cili merr masat për të siguruar që çmimi i njësive ose aksioneve të tij në treg nuk ndryshon ndjeshëm nga vlera neto e aktiveve dhe, sipas rastit, nga vlera neto orientuese e aktiveve.
    Fondet e veta janё burime financiare që shoqëria administruese e fondeve ose depozitari i fondeve të investimeve alternative ose depozitari duhet të zotërojnë.
    Formim profesional është një sistem njohurish, aftësish, qëndrimesh dhe vlerash, të cilat mundësojnë ushtrimin me sukses të një aktiviteti profesional, i cili mund të përftohet nëpërmjet të nxënit/edukimit.
    Franshiza (pjesa e zbritshme) është rreziku i mbajtur nga i siguruari në një ngjarje. Franshiza është klauzolë kontraktuale në bazë të së cilës, kundrejt një primi më të ulët, mbajtësi i policës së sigurimit merr përsipër të mbajë një pjesë të kostos së kërkesës për dëmshpërblim.
    Grup është një grup shoqërish tregtare i përbërë nga shoqëria mëmë, shoqëritë e kontrolluara të saj, si dhe të gjitha subjektet, mbi të cilat shoqëria mëmë apo shoqëria e kontrolluar e saj ushtron ndikim influencues apo ku zotëron pjesëmarrje.
    Historiku i dëmeve të mjetit është sistemi online i cili i shërben qytetarëve të njohin historikun e mjetit motorik, ku në bazë të numrit të shasisë bëhet listimi i dëmeve të mëparshme të automjetit.
    ICO (Oferta fillestare e tokenit digjital/monedhës virtuale) është metoda për të grumbulluar fonde, e ndryshme nga një STO, në të cilёn një emetues i tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale i ofron ato brenda ose jashtë Shqipërisë, në këmbim të kapitalit.
    Informacioni kryesor për investitorin është dokumenti, i cili në formë të përmbledhur përmban informacionin e përshtatshëm rreth karakteristikave thelbësore të sipërmarrjes së investimeve kolektive, dhe që ndihmon investitorin të kuptojë natyrën dhe risqet e investimit që po i ofrohet.
    Informacion i privilegjuar janë të gjitha faktet, të cilat nuk janë bërë të njohura publikisht dhe të cilat i përkasin një ose më shumë emetuesve të titujve ose janë të lidhura me vetë titujt dhe të cilat, nëse do të viheshin në dispozicion të publikut, mund të ndikonin në tregun e bursës ose në çmimin e titujve.
    Instrumente financiare janë titujt e transferueshëm; instrumentet e tregut të parasë; kuotat e sipërmarrjeve të investimeve kolektive; si dhe instrumentet derivative.
    Instrumente të tregut të parasë janë ato kategori të instrumenteve financiare, të cilat tregtohen normalisht në tregun e parasë, siç janë bonot e thesarit, certifikatat e depozitave dhe dëftesat tregtare, por pa përfshirë instrumentet e pagesës.
    InsurTech i referohet përdorimit të inovacioneve teknologjike të dizenjnuara për të ndryshuar modelin aktual të tregut të sigurimeve.
    Kapital janë vlera materiale (mjete prodhimi, para etj.) në duart e një personi ose organizate apo e disponueshme për investime ose për nisjen e një kompanie të re.
    Kartoni Jeshil është certifikata ndërkombëtare e sigurimit, sipas përcaktimeve të Marrëveshjes së Kretës, ndërmjet zyrave kombëtare të vendeve anëtare të sistemit të Kartonit Jeshil.
    Këshill i Administrimit është organi i vetëm i shoqërisë administruese me funksione administrimi dhe mbikëqyrjeje, sipas ligjit për shoqëritë tregtare.
    Këshillë investimi është dhënia e rekomandimeve personale një klienti ekzistues ose një klienti të mundshëm, me kërkesën e tij ose me nismën e vetë shoqërisë komisionere, për një ose më shumë transaksione, që kanë të bëjnë me instrumente financiare.
    Këshilltarët e investimeve janë punonjës të shoqërive komisionere, të cilët të japin këshilla për investime në tituj.
    Klasë sigurimi është klasifikimi i një grupi të ngjashëm rreziqesh ose operacionesh, që përcakton veprimtarinë që shoqëria e sigurimit mund të ushtrojë në bazë të licencës.
    Klerim (referuar veprimtarisë së një shtëpie klerimi), është çdo masë, procedurë, mekanizëm ose shërbim i ofruar nga një person me qëllimi përcaktimin e detyrimeve të të gjitha palëve të përfshira në një transaksion titujsh.
    Klient ёshtё çdo person fizik ose juridik, të cilit firma e investimeve i ofron shërbime investimi dhe/ose shërbime mbështetëse.
    Komisioni i daljes ёshtё komisioni që nënshkruesi i paguan subjektit operator të sipërmarrjes së investimeve kolektive në momentin e shlyerjes së pjesëmarrjes në sipërmarrje.
    Komisioni i hyrjes ёshtё komisioni që nënshkruesi i paguan subjektit operator të sipërmarrjes së investimeve kolektive, në momentin e nënshkrimit të pjesëmarrjes në sipërmarrje.
    Komisioni vjetor i administrimit ёshtё tarifa periodike që i paguhet shoqërisë administruese të sipërmarrjes së investimeve kolektive ose një nënfondi, e përllogaritur në bazë të një përqindjeje vjetore, sipas vlerës së pasurisë së çdo sipërmarrjeje ose nënfondi.
    Kompetencë janë njohuritë e thelluara, të plota e të përpikta që ka dikush në një fushë të dijes ose për një problem të caktuar dhe që i japin atij siguri, aftësi.
    Konsumator është çdo person që përdor ose përfiton nga shërbimet e ofruara nga siguruesi ose nga shërbimet e ndërmjetësimit.
    Kontratë e zgjuar është marrëveshje teknologjike, thelbësisht e varur ose e lidhur me një DLT, e cila përmban një set rregullash e kushtesh, të cilat vënë në lëvizje reagime të paracaktuara dhe që vetëzbatohen automatikisht në rast të përmbushjes së kushteve të përcaktuara në të.
    Kontrata të së Ardhmes (Futures) është një kontratë për shitje në të ardhmen, në bazë të së cilës njëra prej palëve të kontratës merr përsipër detyrimin për të lëvruar titullin, objekt të kontratës, ndërsa pala tjetër merr përsipër të paguajë çmimin, për të cilin është rënë dakord në një datë të mëparshme, të vendosur nga palët.
    Kontribues është anëtari në një fond pensioni, punëdhënësi i tij ose çdo person i tretë, i cili paguan kontributet e pensionit në llogarinë e pensionit të anëtarit të fondit të pensionit.
    Kontrollues kryesor është çdo person fizik, i cili ushtron ndikim tek i licencuari, drejtpërdrejt ose tërthorazi, nëpërmjet një pale të tretë.
    Kredit është vlera numerike, që u jepet kualifikimeve ose përbërësve të kualifikimeve, të cilët përfaqësojnë vëllimin e të nxënit, të kërkuar për të arritur kualifikimin.
    Krijues tregu është personi, i cili në mënyrë të vazhdueshme është i pranishëm në tregjet financiare si person i gatshëm të tregtojë për llogari të vet me fondet e veta duke blerë dhe shitur instrumente financiare kundrejt aseteve të veta me çmime që i përcakton vetë.
    Kthim nga investimi është rezultati që merret nga diferenca në cmimin e kuotës së fondit të pensionit/sipërmarrjes së investimeve kolektive, që vjen nga investimi i aseteve dhe fitimi i kapitalit.
    Kualifikim profesional janë njohuritë e përftuara, me anë të së cilave personi vërteton aftësinë për të ushtruar një aktivitet profesional në tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit.
    Kujdestar është ofruesi i shërbimit të ruajtjes, mbajtjes dhe/ose shërbimeve administrative të llogarive të titujve në emër dhe për llogari të personave fizikë dhe juridikë.
    Kujdestari’ është ruajtja dhe administrimi i llogarive të titujve në emër të klientëve.
    Kuotë pensioni/sipërmarrje investimi kolektive është pjesa përpjesëtimore e pronësisë në grupin e aseteve të fondit të pensionit/sipërmarrjes së investimeve kolektive.
    Licenca është një leje për ushtrim profesioni ose aktiviteti.
    Likuidues ёshtё personi i emëruar për të mbyllur veprimtaritë e sipërmarrjes së investimeve kolektive, shoqërisë administruese të fondeve ose të depozitarit.
    Marrëveshje riblerjeje (REPO) është marrëveshja me anë të së cilës një institucion shet Tituj duke marrë përsipër t’i blejë ato sipas kushteve të rëna dakord paraprakisht me një institucion tjetër në një kohë dhe me çmim të paracaktuar.
    Marrje në administrim ёshtё procesi i vënies së personit juridik të licencuar në administrim dhe në kontroll të një administratori të përzgjedhur dhe të emëruar nga Autoriteti.
    Mbajtës kuotash ёshtё çdo person, i cili zotëron kuota ose aksione ose investon kapital në sipërmarrjen e investimeve kolektive, i cili si rrjedhojë përfiton një pjesë përpjesëtimore të pasurisë së sipërmarrjes.
    Mjeti virtual është një pasqyrim digjital i një vlere që mund të tregtohet apo të transferohet në formë digjitale, si dhe që mund të përdoret për qëllime pagesash ose investimesh, duke përfshirë por pa u kufizuar te kriptomonedha.
    Monedha virtuale është një prej mjeteve virtuale që nënkupton përfaqësimin digjital të vlerës, i cili përdoret si mjet shkëmbimi, instrument pagesash, njësi llogaritjeje ose rezervë vlere. Disa nga llojet e monedhave virtuale janë: Bitcoin, Eather, etj.
    “Nënfondi” ёshtё nënndarja e investimeve, e cila është pjesë më vete e pasurisë së sipërmarrjes ombrellë dhe që bashkohet, administrohet dhe kontabilizohet veçmas dhe pasuria e të cilit është, në kuptim të përfitimit, në pronësi të pjesëmarrësve të këtij nënfondi.
    Ngjarje e siguruar është ngjarja e parashikuar në kontratën e sigurimit që ndodh brenda kushteve dhe periudhës së mbuluar nga sigurimi.
    Obligacion është titull afatmesëm ose afatgjatë borxhi, me afat maturimi më të gjatë se një vit, që detyron emetuesin t’i paguajë zotëruesit të obligacionit vlerën nominale dhe interesin në një apo disa këste, në një datë të caktuar.
    Ofertë private është ofrimi i titujve një grupi të kufizuar ose të përcaktuar investitorësh të mundshëm dhe jo publikut të gjerë, e cila komunikohet pa përdorur mjetet e komunikimit në masë.
    Ofertë publike është ofrimi i titujve publikut të gjerë pa kufizim.
    Ofertë publike fillestare (IPO) nënkupton shitjen për herë të parë të aksioneve të një shoqërie aksionere sh.a., publikut.
    Ofrues i shërbimeve të mjeteve virtuale nënkupton çdo person fizik ose juridik, i cili kryen, për ose në emër të një personi tjetër fizik ose juridik, një ose më shumë nga këto aktivitete: shkëmbimi ndërmjet mjeteve virtuale dhe monedhave të njohura zyrtarisht ose pasurive të çdo lloji, shkëmbimi ndërmjet një ose më shumë formave të mjeteve virtuale, transferimin, ruajtjen, shitjen ose administrimin e mjeteve virtuale.
    Palë e dëmtuar është çdo person që ka pësuar dëme, të cilit i lind e drejta të kërkojë dëmshpërblim, për humbjet apo dëmtimet e pësuara, të shkaktuara nga mjeti i transportit.
    Palë e siguruar është personi, interesi pasuror i të cilit është i siguruar.
    Para elektronike është vlera monetare e regjistruar elektronikisht ose në mënyrë magnetike, e cila emetohet me pranimin e fondeve për qëllime të kryerjes së transaksioneve të pagesës dhe që përfaqëson një detyrim të emetuesit të parasë elektronike ndaj pranuesit të saj, i cili është një person fizik ose juridik, i ndryshëm nga emetuesi i parasë elektronike.
    Para FIAT është mjet financiar në formën e kartëmonedhave dhe të monedhave metalike, vendase ose të huaja, të cilat kanë kurs ligjor.
    Periudhë e mbulimit nga sigurimi është periudha për të cilën një sigurues mbulon ndodhjen e rrezikut të sigurimit.
    Person është personi fizik ose juridik, ku përfshihet një individ, shoqëri, një organ i administratës shtetërore dhe çdo strukturë tjetër, që njihet si person juridik i veçantë.
    Përfitime janë pagesat në para, në formë pensioni, të shumave që gjenden në llogarinë e anëtarit të fondit të pensionit.
    Përfshirje financiare do të thotë që individët dhe bizneset të kenë akses në produkte dhe shërbime të dobishme dhe të përballueshme nga ana financiare, që plotësojnë nevojat e tyre.
    Pjesëmarrës ёshtё çdo person që zotëron kuota ose aksione ose çdo formë tjetër pjesëmarrjeje apo të drejte ose interesi në sipërmarrjen e investimeve kolektive si rezultat i investimit në kapital të sipërmarrjes së investimeve kolektive.
    Plani i kontigjencës nënkupton dokumentin e miratuar nga shoqëria administruese, që përcakton qartë politikat dhe procedurat që duhet të zbatohen në një situatë krize dhe ngritjen e fondeve emergjente.
    Plan pensioni është kontrata ndërmjet individit dhe shoqërisë administruese, për ofrimin e përfitimeve për pension. Shërbimet e fondit të pensionit, të krijuar nga shoqëria administruese, i ofrohen individit, i cili, me pëlqimin e vet, bëhet anëtar i fondit të pensionit.
    Plan pensioni profesional është kontrata ndërmjet punëdhënësit dhe shoqërisë administruese, për ofrimin e përfitimeve për pension. Shërbimet e fondit të pensionit, të krijuar nga shoqëria administruese, i ofrohen punëmarrësit, i cili, me pëlqimin e vet, bëhet anëtar i fondit të pensionit.
    Platforma DLT është çdo platformë apo strukturë, e ndryshme nga ajo e një burse DLT, ku emetohen ose përdoren tokenë digjitalë dhe nëpërmjet të cilave mundësohet aksesi në aplikacione, mallra dhe shërbime të ndryshme dhe/ose mundësohet shlyerja në fonde e tokenëve digjitalë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga emetuesi i tyre.
    Platforma e organizuar e tregtimit (POT) është sistemi shumëpalësh, që nuk është treg i rregulluar apo platformë shumëpalëshe tregtimi, në të cilin lejohet ndërveprimi i interesave të shumëfishta të shitblerjes së palëve të treta për obligacione, produkte financiare të strukturuara, kuota të lejuara për çlirimin e gazeve serrë ose derivativët, në mënyrë të tillë që të mundësojë lidhjen e kontratave.
    Platformë shumëpalëshe tregtimi (MTF) është sistemi shumëpalësh i operuar nga një shoqëri komisionere ose një operator tregu, i cili bashkon interesat e shumëfishta të shitblerjes së instrumenteve financiare të palëve të treta, në përputhje me rregulla jodiskrecionare, me qëllimin për të mundësuar lidhjen e kontratave.
    Portofol është program kompjuterik ose mekanizëm tjetër që ruan online ose offline çelësat privatë e publikë dhe ndërvepron me DLT për t’i mundësuar përdoruesit të mbajë, të ruajë, të dërgojë, të marrë e të monitorojë tokenët e tij digjitalë dhe/ose monedhat virtuale.
    Portofol investimi është tërësia e investimeve të kryera me asetet e fondit.
    Portofol sigurimi është tërësia e kontratave të sigurimit të një klase ose disa klasave të sigurimit të nënshkruara nga një shoqëri sigurimi.
    Primi është çmimi që paguan policëmbajtësi për të blerë garancinë e ofruar nga shoqëria e sigurimit.
    Primi i shkruar bruto është vlera që policëmbajtësi duhet t'i paguajë shoqërisë së sigurimit duke i shtuar primit taksën mbi primin.
    Prospekti është dokumenti që shoqëria administruese vë në dispozicion të çdo personi të interesuar, përpara se të fillojë promovimin e fondit të pensionit ose fondit të investimit dhe lidhjen e kontratës përkatëse, i cili përmban informacion të vërtetë dhe korrekt për fondin e pensionit ose fondin e investimit që administron. Në tregun e titujve është çdo dokument, i cili përbën një lloj ftese që i drejtohet publikut të gjerë, pa kufizim, për ta ftuar të investojë në titujt që emetuesi ua ofron investitorëve të mundshëm.
    Produkt sigurimi është kontrata (polica) specifike e përgatitur dhe e lëshuar nga shoqëria e sigurimit për të mbuluar një rrezik specifik ose një numër rreziqesh të veçanta, sipas kushteve të parapërcaktuara.
    Provigjoni është një pasiv i pasigurtë në kohë dhe në shumë.
    Provigjon matematik është shuma e llogaritur në bazë të një parashikimi dhe sipas metodave të caktuara aktuariale, e cila mbahet nga siguruesi për të mbuluar përgjegjësitë që rrjedhin vetëm nga kontratat e sigurimit të jetës.
    Provigjon teknik është shuma e llogaritur në bazë të një parashikimi dhe sipas mënyrave aktuariale të caktuara, e cila mbahet nga siguruesi për të mbuluar përgjegjësitë që rrjedhin nga kontratat e sigurimit.
    Provigjon teknik bruto është shuma totale e provigjoneve teknike që përbëhet nga provigjonet teknike të llogaritura nga siguruesi dhe provigjonet teknike për rreziqet e mbuluara nga risigurimi.
    Regtech i referohet aplikimit të teknologjisë financiare (fintech), me qëllim plotësimin e kërkesave rregullatore, të pajtueshmërisë dhe raportimit nga institucionet financiare. Regtech njihet gjithashtu si teknologji rregullatore.
    Regjistrari i titujve, ose shkurt regjistrari, është shoqëria aksionere e licencuar nga Autoriteti, që ka për objekt të veprimtarisë organizimin dhe administrimin e të dhënave për titujt.
    Retrocedim është kalimi i një pjese të rrezikut të siguruar nga një shoqëri risigurimi në një shoqëri risigurimi tjetër.
    Risigurimi ndodh atëherë kur një kompani sigurimesh kalon një pjesë të riskut që ajo ka pranuar, tek një kompani e specializuar risigurimi.
    Risku (rreziku) i agjencisë është risku që personat dhe/ose personeli kyç i shoqërisë administruese të përdorin autoritetin e tyre për të përfituar individualisht dhe nuk veprojnë në të mirë të anëtarëve të fondit apo në interes të aksionarëve.
    Risku i biznesit është risku që lind nga ekspozimi i shoqërisë ndaj faktorëve që mund të ulin të ardhurat e saj apo mund ta çojnë atë drejt falimentit.
    Risku i kapitalit është risku i humbjes nga ndryshimet e çmimit të instrumenteve të kapitalit dhe efekti i tyre në vlerën e aktivit të një fondi.
    Risku i kreditit është risku i humbjes nga pamundësia që emetuesi i një instrumenti financiar, pjesë e aktiveve të fondit, të përmbushë pjesërisht apo plotësisht detyrimet e tij sipas kushteve të pranuara.
    Risku i kursit të këmbimit valutor është risku i humbjes nga ndryshimet e kurseve të këmbimit dhe efekti i tyre në vlerën e aktiveve të fondit, në rast se aktivet e fondit investohen në një monedhë të ndryshme nga monedha e përdorur për të llogaritur kthimin nga investimi.
    Risku ligjor është risku i humbjeve që lindin për shkak të çështjeve ligjore të shkaktuara nga paaftësia për të zbatuar kontratat ligjore, licencat dhe/ose të drejtat e pronësisë.
    Risku i likuiditetit është risku i humbjes kur një pozicion aktivi në portofolin e fondit nuk mund të shitet, likuidohet apo mbyllet me kosto sa më të ulët brenda një harku kohor mjaftueshmërisht të shkurtër, duke vënë në rrezik në këtë mënyrë aftësinë e fondit për të përmbushur detyrimet e tij për shlyerje, të përcaktuara në prospekt.
    Risku i normave të interesit është risku i humbjes nga luhatjet e normave të interesit dhe efekti i tyre në vlerën e aktivit të fondit.
    Risku i ngjarjes është risku i humbjes nga rrethana të paparashikueshme që shkaktojnë rënien e vlerës së tregut të një instrumenti financiar në mënyrë të menjëhershme ose të papritur në krahasim me sjelljen e tregut në përgjithësi dhe në një mënyrë që tejkalon shkallën normale të luhatjeve në vlerën e tregut.
    Risku operacional është risku i humbjes nga procedura të brendshme të papërshtatshme dhe nga mosfunksionimi në lidhje me sistemet dhe stafin e shoqërisë administruese ose palës së lidhur e cila kryen disa funksione të deleguara për shoqërinë administruese, ose që rezulton nga ngjarje të jashtme dhe që përfshin risqe ligjore, risqe dokumentacioni dhe risqe që rezultojnë nga procedurat e tregtimit, shlyerjes dhe vlerësimit, të cilat zbatohen nga fondi.
    Risku i palës tjetër ose palës së lidhur është risku që lind nga mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale nga pala tjetër ose pala e lidhur e shoqërisë administruese.
    Risku i përqendrimit është risku i humbjes nga përqendrimi i aktiveve të fondit ose në një emetues, në një grup emetuesish që janë palë të lidhura, në emetues që janë në një zonë të caktuar gjeografike, apo në emetues që përfshihen në një sektor të caktuar të ekonomisë.
    Risku reputacional është risku i dëmtimit të besueshmërisë së shoqërisë në tregun ku kryen veprimtarinë e saj, duke përfshirë impaktin e ngjarjeve specifike të cilat mund të përkeqësojnë apo ndikojnë negativisht perceptimin e publikut për shoqërinë.
    Risku i sigurimit është mundësia objektive e ekzistencës së humbjes pasurore dhe/ose jopasurore, e cila ndodh në rrethana të pasigurta, të panjohura dhe të pavarura nga vullneti i personit të siguruar.
    Risku i shlyerjes është risku i humbjes kur një transaksion për një aktiv të fondit nuk mund të shlyhet në përputhje me kushtet e pranuara.
    Risku i vendit është risku i humbjes kur një autoritet përkatës apo bankë qendrore e një vendi, që nuk mund të përmbushë ose pritet të mospërmbushë detyrimet kundrejt subjekteve jorezidente, si dhe kur debitorët e tjerë, rezidentë të atij vendi dhe për shkak të rezidencës së tyre, nuk mund të përmbushin detyrimet e tyre kundrejt subjekteve jorezidente.
    Risku i tregut është risku i humbjes nga luhatjet në vlerën e tregut të pozicioneve të portofolit të fondit që lidhen me ndryshimet në variablat e tregut, siç janë normat e interesit, kurset e këmbimit valutor, çmimet e aksioneve dhe të mallrave apo klasifikimi i riskut të kreditit të emetuesit.
    Sigurim është transferimi i një rreziku të mundshëm, i një humbjeje pasurore dhe/ose jopasurore nga i siguruari te siguruesi, sipas një kontrate sigurimi.
    Sigurimi i Jetës është një kontratë midis një kompanie sigurimi dhe një të siguruari, ku kompania garanton pagimin e një përfitimi drejt përfituesve të emëruar kur i siguruari vdes.
    Sigurimi i Jetës i kombinuar është një kombinim i sigurimit të jetës dhe atij të shëndetit prej sëmundjeve kritike që ofrohet për persona me moshë 18-65 vjeç.
    Sigurimi i Jetës dhe shëndetit Cash Plan është një kontratë që, ofron një gamë të gjerë përfitimesh dhe mbulimesh, të cilat garantojnë qetësinë dhe sigurinë e të siguruarit në rast të çdo të papriture shëndetësore.
    Sigurimi i Jetës dhe shëndetit në udhëtim është një kontratë që ofrohet për udhëtimet jashtë vendit e që kombinon karakteristikat e sigurimit të jetës dhe shëndetit.
    Sigurimi i Jetës me kursim është një mënyrë kursimi (investimi) afatgjatë për të siguruar të ardhura të mjaftueshme, për një pension privat shtesë krahas atij shtetëror. Në rast fatkeqësie përgjatë periudhës së sigurimit, familjarët tuaj përfitojnë automatikisht të gjithë shumën e siguruar, në momentin e ndodhjes së fatkeqësisë pavarësisht sesa këste janë paguar.
    Sigurimi i Jetës së debitorit është një kontratë e Sigurimit të Jetës së Debitorit që mbulon rrezikun e vdekjes së të siguruarit për shkaqe natyrore ose aksidentale dhe që kërkohet zakonisht në rastin e marrjes së një kredie në Banka.
    Sigurimi MTPL është sigurimi i detyrueshëm i mjetit motorik në sektorin e transportit që nënkupton sigurimin e përgjegjësisë së pronarit ose të përdoruesit të mjetit motorik për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti.
    Sigurimi personal i shëndetit është një kontratë sigurimi për mbulimin e hospitalizimit, trajtimit shëndetësor dhe shërbimeve të caktuara mjekësore për të siguruarin.
    Sigurimi nga tërmeti nënkupton kontratat e sigurimit nga tërmeti për dëmet e lidhura me dëmtimin fizik të ndërtesave dhe pajisjeve të vendosura në to.
    (I) Siguruar është personi, humbja e mundshme pasurore dhe/ose jopasurore e të cilit është objekt i një kontrate sigurimi. Në kontratat e sigurimit të jetës i siguruari është personi, për jetën e të cilit është lëshuar një kontratë sigurimi.
    Sigurues është shoqëria e sigurimit, e cila merr përsipër sigurimin e një rreziku sipas kontratës së sigurimit.
    Sistemi AFISaR (Albanian Financial Instrument Settlement and Registration) është sistemi qendror i regjistrimit dhe i shlyerjes së titujve të shtetit shqiptar, për të cilët Banka e Shqipërisë organizon ankandin sipas marrëveshjes së lidhur midis saj.
    Sipërmarrja e investimeve kolektive (SIK) ёshtё çdo formë organizimi lidhur me çdo lloj pasurie, përfshirë monetare, qëllimi i së cilës është mundësimi i personave që marrin pjesë në këtë formë organizimi (“pjesëmarrësit”), të bëhen pronarë të pasurisë ose të një pjese të saj, të përfitojnë fitime ose të ardhura që rrjedhin nga marrja, mbajtja, administrimi ose shitja e pasurive ose shumave të paguara nga këto fitime ose të ardhura.
    Sipërmarrje e automatizuar e investimeve kolektive DT është çdo person juridik ose bashkim asetesh që administrohet nga një subjekt i licencuar. Sipërmarrjet e automatizuara të investimeve kolektive DT investojnë ekskluzivisht në token digjital ose monedha virtuale, duke mundësuar përdorimin e kontratave të zgjuara, ose marrëveshje të tjera të teknologjisë inovative, nëpërmjet integrimit të një sistemi të automatizuar robotik të konsulencës, i cili vepron si këshillues investimesh dhe/ose si një shoqëri administruese e fondeve.
    Sipërmarrje e paautomatizuar e investimeve kolektive DT është çdo person juridik ose bashkim asetesh që është i licencuar, i regjistruar apo i njohur si sipërmarrje e investimeve kolektive, në përputhje me legjislacionin në fuqi për sipërmarrjet e investimeve kolektive, i cili investon në tokenë digjitalë dhe monedha virtuale, por nuk plotëson kriteret teknike për të qenë sipërmarrje e automatizuar e investimeve kolektive DT.
    Skema me kontribute të përcaktuara janë ato skema të pensionit ku përfitimet nga fondi i pensionit nuk janë të garantuara dhe rrezikun e investimit e mbart anëtari.
    Standarde profesionale janë formulimi i njohurive, aftësive dhe kompetencave profesionale, që duhen arritur nga individët, për të përmbushur një kualifikim.
    Statusi i Dosjes së Dëmit është Regjistri online i integruar për të gjitha dëmet e ndodhura për policat e sigurimeve motorike TPL, i cili i mundëson konsumatorëve të kontrollojnë statusin e dosjes për dëmshpërblim nga shoqëria e sigurimit se në cilën etapë ndodhet shqyrtimi i dëmit.
    STO (Ofertë e një tokeni digjital të titujve) është një ofertë publike, ku emetuesi i tokenëve të titujve virtualë i ofron ato në Shqipëri ose jashtë saj, në këmbim të fondeve.
    SupTech i referohet aplikimit të (Fintech) nga autoritetet rregullatore e mbikëqyrëse me qëllim përmirësimin e efektivitetit dhe/ose efikasitetit të mbikëqyrjes së tyre.
    Shlyerja është veprimi i transferimit të “titujve dhe çmimeve të tyre përfundimtare” midis dy palëve. Palët në transaksione me tituj përmbushin detyrimet që rrjedhin prej tyre, përfshirë detyrimin për të dorëzuar, transferimin e çmimit ose transferimin e titullit mbi instrumentet financiare midis palëve.
    Shoqëri administruese është një shoqëri aksionare, e krijuar në përputhje me ligjin e shoqërive tregtare dhe e licencuar nga autoriteti, për të administruar një ose disa fonde të pensionit, sipërmarrjet e investimeve kolektive, përfshirë sipërmarrjet për investimin kolektiv në tituj të transferueshëm.
    Shoqëri investimi ёshtё sipërmarrja e investimeve kolektive e themeluar si shoqëri aksionare, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, objekti parësor i së cilës është investimi i diversifikuar i pasurisë në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme të çdo lloji.
    Shoqëria e investimeve me pjesëmarrje të mbyllur ёshtё shoqëria e investimeve që ka një numër fiks aksionesh apo kuotash në emetim, e cila është sipërmarrje investimesh kolektive.
    Shoqëri e listuar ёshtё shoqëria që regjistron titujt e saj në cilindo segment tregu të një burse.
    Shoqëri komisionere është çdo person juridik, profesioni ose aktiviteti i rregullt tregtar i të cilit është ofrimi i një ose më shumë shërbimesh investimi në tituj palëve të treta dhe/ose kryerja e një ose më shumë veprimtarive të investimit në formë profesionale.
    Shoqëri risigurimi është personi juridik i licencuar për të ushtruar veprimtari risigurimi.
    Shoqëri sigurimi është personi juridik i licencuar për të ushtruar veprimtari sigurimi dhe operacione të tjera të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me veprimtarinë e sigurimit.
    Shtëpi klerimi është personi juridik i licencuar sipas këtij ligji dhe në zbatim të ligjit në fuqi “Për sistemin e pagesave”, që është përgjegjës për llogaritjen e pozicioneve neto të institucioneve të tregut, i cili mund të jetë edhe kundërparti qendrore dhe/ose agjent shlyerës.
    Shumë e sigurimit (kufiri i përgjegjësisë) është vlera, për të cilën është rënë dakord midis palëve në kontratën e sigurimit, apo janë përcaktuar aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për sigurimin e detyrueshëm dhe që përfaqëson kufirin maksimal të përgjegjësisë së siguruesit kundrejt të siguruarit/përfituesit.
    Tërheqje e parakohshme nga fondi i pensionit parashikon të drejtën që ka anëtari i fondit të pensionit të tërheqë asetet nga llogaria individuale e fondit të pensionit, para plotësimit të kushteve të përfitimit të pagesave të pensionit, e cila shoqërohet me penalitete.
    Tituj janë instrumente financiare, të cilat emetohen për qëllime fitimprurëse dhe që mishërojnë të drejta pronësie apo njohje borxhi, si dhe janë të tregtueshme. Titujt përfshijnë pa kufizim aksionet e emetuara nga shoqëritë aksionare, obligacionet e shoqërive tregtare dhe të njësive të vetëqeverisjes vendore, bonot e thesarit dhe obligacionet e emetuara nga qeveritë, dëftesat tregtare, aksionet ose kuotat e fondeve të investimit, si dhe instrumentet e tjera financiare, të krahasueshme me aksionet dhe obligacionet.
    Tokeni digjital është shenjues digjital, i cili është thelbësisht i varur prej teknologjisë DLT dhe përfshihet ekskluzivisht në një nga kategoritë e tokenëve digjitalë.
    Transferim i aktiveve (aseteve) është transferimi i aseteve nga një fond pensioni/sipërmarrje investimi kolektive te një fond tjetër pensioni/sipërmarrje investimi kolektive.
    Treg i rregulluar është sistemi shumëpalësh i operuar dhe/ose administruar nga një operator tregu, i cili bashkon ose ndihmon në bashkimin e interesave të shumëfishta të shitblerjes së instrumenteve financiare të palëve të treta, në përputhje me rregulloret e tij jodiskrecionale, mundëson pranimin për tregtim të instrumenteve financiare në përputhje me rregulloret dhe/ose sistemet e tij, licencohet, regjistrohet ose njihet dhe rregullohet nga Autoriteti.
    Tregu me pakicë i titujve të Qeverisë është një formë tregu e mbikëqyrur nga Autoriteti. Ky treg i organizuar në sportelet fizike apo virtuale të bankave dhe subjekteve të tjera të licencuara, për kryerjen e transaksioneve në letrat me vlerë të Qeverisë, me investitorët, të cilët mund të jenë, persona fizikë ose juridikë, rezidentë dhe jorezidentë.
    Urdhër tregu është urdhri për të blerë ose për të shitur një sasi të deklaruar Titujsh, që do të ekzekutohet me çmimin më të mirë të mundshëm në momentin kur urdhri mbërrin në librin qendror të urdhërave (COB), i cili është libri i urdhrave të sistemit të Bursës, në të cilin regjistrohen të gjithë urdhrat dhe ndryshimet deri në përputhjen, skadimin ose tërheqjen e tyre.
    Veprimtaria promocionale është i gjithë informacioni që i jepet të siguruarve apo palëve të treta të mundshëm, nëpërmjet publicitetit në median e shkruar dhe vizive, takimeve, telefonatave, internetit dhe medias elektronike, televizionit interaktiv, si dhe çdo mjeti tjetër, nëpërmjet të cilit paraqitet informacioni rreth shoqërisë së sigurimit dhe produkteve që ofron në treg.
    Vlera neto e aktiveve ёshtё vlera e agreguar e aktiveve të fondit të pensionit/sipërmarrjes së investimeve kolektive (ose e nënfondit) pas zbritjes së shumës totale të detyrimeve të sipërmarrjes së investimeve kolektive (ose nënfondit) në momentin e llogaritjes.
    Vlera neto e aktiveve për kuotë ёshtё vlera neto e aktiveve të fondit të pensionit/sipërmarrjes së investimeve kolektive (ose të nënfondit) e pjesëtuar me numrin e kuotave në emetim në çastin e llogaritjes së vlerës neto të aktiveve.
    Vlera totale e aktiveve të fondit të pensionit/ sipërmarrjes së investimeve kolektive është shuma e vlerave të të gjitha llojeve të aktiveve të lejuara nga ligji dhe aktet nënligjore dhe të përcaktuara në prospekt në përputhje me objektivat e investimit të fondit të pensionit/sipërmarrjes së investimeve kolektive.
    Yield-i është norma vjetore e kthimit nga një investim, e shprehur në përqindje.
    (Kurba) Yield tregon lidhjen ndërmjet yield-eve dhe datave të maturimit për një grup obligacionesh, zakonisht për obligacione të qeverisë, në një moment të caktuar.
    SDR (Special Drawing Rights) është njësia bazë e llogaritjes, e përcaktuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
    MTOM (Maximum Take Off Mass) është masa maksimale e lejueshme e avionit në çastin e ngritjes, e cila i përgjigjet masës specifike, të certifikuar për çdo lloj avioni, siç është deklaruar në certifikatën përkatëse të kushteve të fluturimit të avionit.
    SNRF janë Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.
    OECD është Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik.
    BSHS (Byroja Shqiptare e Sigurimit).
    GKSF (Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar)
    IOSCO (Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Titujve)
    IAIS (Shoqata Ndërkombëtare e Rregullatorëve të Sigurimeve
    IOPS (Organizata Ndërkombëtare e Rregullatorëve të Pensioneve)
    BB (Banka Botërore)
    FSVC (Financial Services Volunteer Corps)
    BERZH (Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim)
    SECO (Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike)