Stabiliteti Financiar

Funksioni i AMF-së në stabilitetin financiar:

Profili i rrezikut të tregjeve që mbikëqyren nga AMF ka pasur ndikim relativ të ulët në sistemin financiar shqiptar, por tashmë me dinamikën e zgjerimit të tregjeve nën mbikëqyrje, sidomos të tregut të fondeve të investimit, ai nuk mund të konsiderohet i papërfillshëm si disa vite më parë, e për rrjedhojë analizohet në kuadër të rreziqeve sistemike për sistemin financiar në tërësi dhe është në vijimësi pjesë e diskutimeve që kryhen në kuadër të Grupit Këshillimor për Stabilitetin Financiar (GKSF).
AMF, si autoritet mbikëqyrës e rregullator për tregjet financiare të sigurimeve, titujve dhe fondeve të investimeve, si dhe pensioneve private vullnetare apo veprimtarive të tjera financiare jobankare synon të sigurojë funksionimin efektiv të këtyre tregjeve, si dhe stabilitetin, promovimin dhe zhvillimin e tyre duke kontribuar kështu edhe në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar në tërësi.