Kini Kujdes!

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në zbatim të objektivit të tij kryesor të mbrojtjes së interesave të investitorëve dhe konsumatorëve, si dhe të nxitjes së qëndrueshmërisë, transparencës dhe besueshmërisë së tregjeve financiare që mbikëqyr, informon rregullisht publikun me anë të paralajmërive apo njoftimeve edukative mbi rreziqet që lidhen me tipe të ndryshme të investimit apo shërbimeve financare.


Paralajmërimet e publikuara nga AMF janë si më poshtë:

Nr Lloji i paralajmërimit Data e publikimit
1  Paralajmërim për platformat mashtruese TXEX, XUEXA, GROKREXDUU dhe platforma të ngjashme28.8.2025
2  INVESTITORË KUJDES – Ndaj aktivitetit të palicencuar të Platformës NetherexPro18.6.2025
3  Autoritetet Evropiane paralajmërojnë mbi rreziqet e investimeve në kripto-asete29.3.2022
4  Paralajmërim për aktivitetin e FXShqip.com dhe IQOption.al10.4.2020
5  AMF publikon paralajmërimin e njoftuar nga Komisioni i Letrave me Vlerë të Qipros (CYSEC) 25.6.2019
6  Investitorë kujdes ndaj aktivitetit të shoqërisë Fortrade27.12.2018
7  Paralajmërim mbi riskun e investimit në instrumentin “Kontratë për Diferencë” (CFD)11.10.2018
8  AMF paralajmëron mbi rreziqet e përdorimit të monedhave virtuale me ofertë fillestare (ICO)27.6.2018
9  INVESTITORË KUJDES: Ndaj aktivitetit të shoqërisë me emrin FXLider27.3.2018
10  INVESTITORË KUJDES!! Mos investoni në platformën online FXLIDER28.4.2017

Shënim: Lista e paralajmërimeve nuk është e pandyshueshme. Lista është objekt përditësimi në përputhje me konstatimet e Autoritetit.

Në shërbim të mbrojtjes së investitorit dhe rritjes së besimit të tij te sistemi financiar, Autoriteti Evropian i Titujve dhe Tregjeve (ESMA) i siguron konsumatorit informacion të mjaftueshëm që lidhet me investimet e bëra në Bashkimin Evropian si dhe nxjerr paralajmërime të ndryshme për investitorët. Për më shumë informacion të publikuar nga ESMA për investitorin klikoni linkun: https://www.esma.europa.eu/Investor-corner/warning-and-publications-investors

Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Titujve (IOSCO) rregullisht informohet nga anëtaret e saj mbi kompanitë që nuk janë të autorizuara të ofrojnë shërbimet e tyre financiare në atë juridiksion, i cili ka nxjerrë edhe paralajmërimin përkatës. Disa nga paralajmërimet e bëra lidhen me kompani të palicencuara, të cilat përdorin emra të ngjashëm me kompani të licencuara apo me kompani që në mënyrë fiktive pretendojnë të jenë të lidhura me kompani të licencuara. Vëndet anëtare të IOSCO-s mbajnë vetë përgjegjësi për nxjerrjen e këtyre paralajmërimeve. Për më shumë informacion rreth këtyre paralajmërimeve klikoni linkun: http://www.iosco.org/investor_protection/?subsection=investor_alerts_portal

Pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit paraqesin një kërcënim serioz për sigurinë dhe integritetin e sistemit financiar. Lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit është një detyrë komplekse dhe sfiduese që kërkon bashkëpunim kombëtar dhe ndërkombëtar për të rritur ndërgjegjësimin, si dhe për të zbuluar dhe parandaluar këtë veprimtari.

Parandalimi i pastrimit të parave dhe financimi i terrorizmit në Republikën e Shqipërisë rregullohet nga Ligji nr. 9917, datë 19.05.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i ndryshuar.

1. Roli i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Autoriteti, në zbatim të Ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, dhe Ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, i ndryshuar, mbikëqyr veprimtarinë e subjekteve të licencuara prej saj dhe vlerëson zbatueshmërinë e akteve ligjore dhe rregullative mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në zbatim të nenit 24, të Ligjit nr. 9917, datë 19.05.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i ndryshuar, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare:

  • mbikëqyr, nëpërmjet inspektimeve, përputhshmërinë e veprimtarisë së subjekteve me detyrimet e parashikuara në këtë ligj;
  • i raporton menjëherë autoritetit përgjegjës çdo dyshim, informacion ose të dhënë, që lidhet me pastrim parash ose financim terrorizmi, për veprimtaritë nën juridiksionin e saj;
  • kontrollon zbatimin e programeve të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nga subjektet dhe sigurohet që këto programe janë të përshtatshme;
  • informon në kohë dhe bashkëpunon me autoritetin përgjegjës, për çështjet e mospërputhshmërisë, rezultatet e inspektimeve, masat përmirësuese që do të merren dhe masat administrative;
  • ndërmerr masat e nevojshme për të parandaluar që një person i papërshtatshëm të zotërojë, të kontrollojë ose të marrë pjesë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në drejtimin, administrimin ose veprimtarinë e subjekteve që mbikëqyr;
  • bashkëpunon për përgatitjen dhe shpërndarjen e programeve të trajnimit në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
  • mban statistika për veprimet e ndërmarra, si dhe për sanksionet e vendosura në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Përveç veprimtarive të saj mbikëqyrëse, Autoriteti gjithashtu:
  • bashkëpunon me autoritete të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e PPP/FT;
  • organizon trajnime për institucionet që mbikëqyr (veçmas ose në bashkëpunim me AIF);
  • kryen detyra të tjera që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në përputhje me ligjin për PPP/FT, etj.

2. Baza rregullative për PPP/FT

  • Rregullore nr. 58, datë 30.06.2015 “Mbi masat e vigjilencës së duhur dhe të zgjeruar nga subjektet e ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, e ndryshuar;
  • Manuali i Mbikëqyrjes për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, i ndryshuar. Ky Manual është vijueshmëri e politikave dhe procedurave të përcaktuar në Anekset e Rregullores nr. 58, datë 30.06.2015 “Mbi masat e vigjilencës së duhur dhe të zgjeruar nga subjektet e ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, e ndryshuar si dhe në Udhëzuesin “Për matjen e rrezikut nga pastrimi i parave dhe financimi terrorizmit”.

- Lista e sanksioneve të OKB-se
- Lista e sanksioneve të BE
- Njoftimet e OKB-së
- Lista e Integruar e Personave të shpallur
- Lista e Integruar e Personave të shpallur financues të Terrorizmit