22 Janar 2014

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për vitin 2013

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2013 arritën rreth 8,535 milionë lekë, ose 4.63% më pak se në vitin 2012. Gjatë vitit 2013, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 995,777 me një ulje prej 5.87% krahasuar me një vit më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 88.12% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 11.25% dhe veprimtarinë e Risigurimit me rreth 0.63%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 54% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 46% të totalit të tregut.

Gjatë vitit 2013, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,696 milionë lekë, ose 3.96%  më pak se viti 2012.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, në vitin 2013 arritën rreth 3,866 milionë lekë, ose rreth 15.55% më pak se viti 2012.

Produkti MTPL e brendshme, në vitin 2013, pati ulje prej 18.59% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 11.83% krahasuar me vitin 2012.

Produkti Sigurim Kufitar, në vitin 2013 pati një ulje prej 23.33% të volumit të primeve të shkruara bruto, e shoqëruar edhe me ulje të numrit të kontratave me 12.06% krahasuar me vitin 2012.

Produkti Karton Jeshil, në vitin 2013 pati rritje me 5.18% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me vitin 2012. Gjithashtu edhe numri i kontratave u rrit me 4.67%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, në vitin 2013 arritën rreth 4,616 milionë lekë, ose 6.26% më shumë se në vitin 2012. Kjo u shoqërua me ulje të numrit të kontratave të sigurimit vullnetar me 15.09% krahasuar me një vit më parë.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë vitit 2013, patën rritje me rreth 5.55%  kundrejt një viti më parë.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë vitit 2013, siguruan rreth 2,391 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me rreth 82.38% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 10.24% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë vitit 2013, vihet re një ulje prej 3.79% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me rreth 6.80% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2012.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë vitit 2013, arritën në mbi 669 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 7.73% në krahasim me vitin 2012.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë vitit 2013, arritën mbi 960 milionë lekë, ose rreth 9.06% më shumë se në vitin e kaluar.

 

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë vitit 2013 u ulën me rreth 3.96% krahasuar me vitin 2012. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,197 milionë lekë, apo 81.51% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.         

                                                            

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për vitin 2013, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Buletini Statistikor për vitin 2013 është rifreskuar më datë 03/09/2014, me shifrat përfundimtare të korrigjuara dhe të ridepozituara në AMF.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar-dhjetor 2013 (në versionin EXCEL) klikoni këtu