21 Nentor 2008

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit midis AMF-së dhe BQK-së në fushën e rregullimit dhe mbikëqyrjes së sektorëve financiarë jobankarë

Në datën 21 Nëntor 2008, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës u nënshkrua Marrëveshja e Mirëkuptimit midis Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë (AMF) dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK). Kjo marrëveshje u bë e domosdoshme pas ristrukturimit të rregullatorëve financiarë të të dy vendeve, dhe plotësoi  memorandumin e mëparshëm në fushën e sigurimeve me bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit edhe në sektorët e tjerë financiarë jo bankarë, si ai i pensioneve, i letrave me vlerë, etj.

Marrëveshja u nënshkrua nga Zj Elisabeta Gjoni, Kryetare e AMF-së dhe Z. Hashim Rexhepi, Guvernator i BQK-së. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Arben Çejku, Kryetari i Bordit të BQK-së z. Gazmend Luboteni , si edhe drejtues të tjerë nga AMF-ja dhe BQK-ja. 

Bashkëpunimi midis të dy institucioneve ka qenë i pandërprerë dhe shumë efektiv, ndërkohë që marrëveshja e nënshkruar rrit edhe më tej mundësitë dhe hapësirat në shkëmbimin e ndërsjelltë të informacionit dhe ekspertizës dhe përvojës së ndërsjelltë.