25 Janar 2019

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për vitin 2018

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për vitin 2018

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2018 kapën vlerën mbi 16,921 milionë lekë, ose 4.49% më shumë se në vitin 2017. Gjatë vitit 2018, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,309,143 me një rritje prej 5.89% krahasuar me vitin 2017. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.93% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.75% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.32%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 36.59% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 63.41% të totalit të tregut.

Gjatë vitit 2018, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 6,972 milionë lekë, ose 26.23% më shumë se në vitin 2017.


Struktura e tregut të sigurimeve, viti 2018




Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë vitit 2018 arritën rreth 10,729 milionë lekë, ose 7.68% më shumë se në vitin 2017.

Produkti MTPL e brendshme, në vitin 2018, pati një rritje prej 10.00% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 7.59% krahasuar me vitin 2017.

Produkti Karton Jeshil në vitin 2018 pati një rritje prej 1.57% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 26.82% krahasuar me vitin 2017.

Produkti Sigurim Kufitar, në vitin 2018, pati një ulje 6.92% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me vitin 2017. Ndersa numri i kontratave u ulje me 3.27%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë vitit 2018 arritën rreth 6,192 milionë lekë, 0.62% më pak se në vitin 2017. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 1.78% krahasuar me vitin 2017.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë vitit 2018, patën rritje me 1.04% kundrejt vitit 2017.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë vitit 2018 siguruan mbi 2,757 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 76.13%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 14.73% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë vitit 2018, vihet re një rritje prej 17.97% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 7.43% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2017.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë vitit 2018, arritën në rreth 1,134 milionë lekë, duke shënuar ulje prej 4.70% në krahasim me vitin 2017.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë vitit 2018, arritën rreth 1,142 milionë lekë, ose 5.17% më pak se në vitin 2017.




*[1]Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë vitit 2018 u rrit me 26.23% krahasuar me vitin 2017. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 3,342 milionë lekë, apo 47.93 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.
 

Type of Insurance Vlerat (në 000 lekë) Ndryshimi
(në %)
Viti 2017 2018 18/`17-1
 Dëmi mesatar
MTPL e brendshme  223  226 1.26
Karton Jeshil  836  511 (38.83)
Kasko  103  107 3.87

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për vitin 2018, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

 
 
[1]Tek dëmet e paguara janë perfshirë dhe Demet nga Fondi i kompesimit raportuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit