27 Shkurt 2019

AMF organizon praktikat mësimore të mbi 300 studentëve në Autoritet dhe në shoqëritë e tregjeve financiare nën mbikëqyrje

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur të përfshihet për herë të parë në procesin e organizimit dhe koordinimit të praktikave mësimore të studentëve pranë shoqërive që veprojnë në tregjet nën mbikëqyrjen e tij.

Autoriteti i ka kërkuar kompanive që veprojnë në tregun e sigurimeve, fondeve të investimeve dhe pensioneve private vullnetare që të angazhohen për të mirëpritur për zhvillimin e praktikave mësimore një numër prej të paktën 300 studentësh. Të rinjtë janë pjesë e universiteteve, publike ose private, me të cilët AMF ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Ata do të kenë mundësi të njihen me shoqëritë, tregun ku ushtrojnë veprimtarinë, si edhe alternativat potenciale që mund t’u ofrohen në tregun e punës në Shqipëri në këtë sektor, pas përfundimit të studimeve të larta universitare.   

Subjektet nën mbikëqyrje i janë përgjigjur pozitivisht dhe e kanë vlerësuar iniciativën e Autoritetit dhe AMF është aktualisht e angazhuar në procesin e koordinimit mes universiteteve dhe shoqërive për caktimin e periudhës së përshtatshme për zhvillimin e praktikës mësimore. Mbi 90 studentëve do të zhvillojnë praktika mësimore në sistemin bankar, për t’u njohur nga afër me funksionin e bankave të nivelit të dytë si broker, kujdestar apo shoqëri komisionere. 55 të rinj do t’i zhvillojnë praktikat mësimore pranë shoqërive të tregut të sigurimeve, rreth 130 në shoqëritë që operojnë në tregun e investimeve dhe mbi 20 studentë do të njihen nga afër me shoqëritë e fondeve të pensioneve private vullnetare.

Kjo iniciativë do të vijojë të jetë kontributi që AMF në bashkëpunim me subjektet nën mbikëqyrje jep për edukimin financiar të brezit të ri, pasi kjo nismë do të shërbejë për të rritur edukimin financiar të studentëve, do t’u japë atyre më shumë informacion në lidhje me tregjet financiare jobankare dhe do t’i stimulojë të bëhen pjesë e tyre me daljen në tregun e punës.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e vlerëson si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me institucionet publike, subjektet nën mbikëqyrje dhe grupet e ndryshme të interesit për të rritur shkallën e edukimit financiar, në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe zhvillimit të sigurt të tregjeve nën mbikëqyrje. Gjithashtu, ashtu si çdo vit Autoriteti do të presë studentët e interesuar për zhvillimin e praktikave të tyre mësimore pranë AMF.

Kjo iniciativë e AMF-së është në vazhdim të punës së bërë gjatë vitit 2018, kur Autoriteti nënshkroi 8 marrëveshje bashkëpunimi me universitete dhe kolegje universitare të ndryshme private dhe publike, duke u dhënë kështu studentëve të tyre mundësinë për t’u njohur me aktivitetin e AMF-së dhe tregjeve nën mbikëqyrje. Gjithashtu, u organizua konferenca e parë kombëtare për “Edukimin Financiar”, ku studentët u përfshinë aktivisht me punimet e tyre në lidhje me tregjet nën mbikëqyrje.

Koordinimi i praktikave mësimore të studentëve është pjesë e “Strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit në tregjet financiare nën mbikëqyrje”. Ai është një kontribut direkt që jep Autoriteti jo vetëm në funksion të rritjes së njohurive financiare në aspektin teorik, si edhe praktik për studentët, por edhe për shoqëritë që operojnë në tregjet nën mbikëqyrje për evidentimin e profesionistëve të së ardhmes.