12 Qershor 2009

AMF bëhet nënshkruese e Marrëveshjes Shumëpalëshe të Mirëkuptimit me IOSCO-n

Më 11 Qershor 2009, gjatë Konferencës së 34 Vjetore të Organizatës Ndërkombëtare të Autoriteteve të Letrave me Vlerë (IOSCO) që u mbajt në Tel Aviv, AMF nënshkroi Memorandumin Shumëpalësh të Mirëkuptimit me IOSCO-n duke u bërë anëtare e organizatës me të drejta të plota.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u përfaqësua nga Kryetarja, Zj. Elisabeta Gjoni dhe nga përfaqësues të rangut të lartë të Autoritetit.

Ky anëtarësim është i një rëndësie të veçantë dhe vjen si kurorëzim i një pune të gjatë e intensive nga ana e AMF, shoqëruar me një proces të gjatë verifikimi, i cili solli nevojën e hartimit të një sërë aktesh rregullative. Kjo gjë hap rrugën e madhe të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me institucionet homologe në mbarë botën, duke shënuar një hap të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të tregut të letrave me vlerë në Shqipëri.

Nënshkrimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi është një detyrim për të gjithë anëtarët e IOSCO-s dhe procesi i nënshkrimit të tij duhet të përfundonte brenda vitit 2010.

Ky Memorandum Mirëkuptimi përcakton kushtet në lidhje me asistencën dypalëshe dhe shkëmbimin e informacionit, për arsye zbatimin dhe arritjen e përputhjes me aktet ligjore dhe nënligjore respektive të juridiksionit të Autoriteteve. Dispozitat  e tij nuk kanë si qëllim që të krijojnë detyrime ligjore apo të zënë vendin e legjislacionit vendas.

IOSCO u formua në vitin 1983 nga transformimi i paraardhësit të tij si një shoqatë rajonale ndër-amerikane (e formuar në 1974) në një organizëm të vërtetë të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Sot IOSCO njihet si një vendosës i standardeve ndërkombëtare për tregun e letrave me vlerë. Anëtarësimi i gjerë i Organizatës rregullon më shumë se 90% të tregut botëror të titujve dhe IOSCO është forumi i bashkëpunimit më i rëndësishëm i botës për agjencitë rregullatore të letrave me vlerë. Anëtarët e IOSCO-s rregullojnë më shumë se 100 juridiksione dhe numri i anëtarëve të Organizatës po rritet vazhdimisht.

Në 2002, IOSCO miratoi një  Memorandumin Shumëpalësh të Mirëkuptimit, i cili kishte si qëllim lehtësimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet komuniteteve të rregullatorëve të titujve.

Viti 2005 ka qenë një vit i rëndësishëm për IOSCO-n. Organizata miratoi Memorandumin Shumëpalësh të Mirëkuptimit si një standard për bashkëpunimin ndërkombëtar ndërmjet rregullatorëve të letrave me vlerë dhe vendosi objektiva të qarta strategjike  për të zgjeruar në mënyrë të shpejtë rrjetin e nënshkruesve të Memorandumit Shumëpalësh të Mirëkuptimit të IOSCO-s brenda vitit 2010.


Për të lexuar materialin e plotë të deklaratës për shtyp në lidhje me ketë takim, ju lutem klikoni këtu